gus92024
Depistimi i diabetit. Këshillimi me farmacistin, efikas në ndërgjegjësimin mbi testin e glicemisë
Diabeti i tipit 1 nuk lidhet domosdoshmërisht me faktorë gjenetikë. Për këtë arsye, duhen informuar pacientët mbi simptomat dhe duhen nxitur t'u nënshtrohen testeve të hershme, si në prani të një anamneze familjare të sëmundjes, ashtu edhe në mungesë të saj.
Evoluimi i diabetit të tipit 1
Ekspertët theksojnë se diabeti i tipit 1 zhvillohet në 3 faza, por pjesa më e madhe e individëve nuk janë në dijeni të tyre dhe nuk e dinë që përparimi i sëmundjes mund të parandalohet. Si pasojë, në shumicën e pacientëve diabeti i tipit 1 diagnostikohet në fazën 3, e cila karakterizohet nga nivele shumë të larta të glukozës në gjak dhe duhet filluar menjëherë insulina. Gjithashtu, nëse diagnostikimi kryhet me vonesë, ka më shumë probabilitet që pacienti të shfaqë komplikacione, të cilat janë shpesh urgjente. Prandaj, është shumë e rëndësishme që individët t'u nënshtrohen depistimeve parandaluese, me qëllim shmangien e një situate krize. Gjithashtu, farmacistët, si profesionistë shëndetësorë që kanë një raport të ngushtë me qytetarët, ndodhen në një pozicion kyç për ndërgjegjësimin e këtyre të fundit.
Depistimi i diabetit të tipit 1
Depistimi konsiston në një ekzaminim të thjeshtë gjaku, i cili zbulon praninë e autoantitrupave specifikë të diabetit të tipit 1, që në fazat 1 dhe 2 të sëmundjes, pra, para se të shfaqen simptomat dhe komplikacionet, si dhe përpara se të krijohet nevoja për insulinë. Megjithatë, ka pak ndërgjegjësim për këtë test edhe në fushën e shëndetësisë, i cili mund të zbulojë praninë e diabetit të tipit 1 edhe në mungesë të simptomave.
Në fund të fundit, më shumë se 80% e njerëzve të diagnostikuar me diabet të tipit 1 nuk kanë një anamnezë familjare të diabetit të tipit 1, kështu që të gjithë janë në rrezik. Megjithatë, ata që kanë një anëtar të afërt të familjes të prekur nga kjo sëmundje metabolike (një prind, një vëlla ose një fëmijë) kanë 15 herë më shumë gjasa të zhvillojnë diabet dhe të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë.
Së fundi, diabeti i tipit 1 po përhapet gjithnjë e më shumë në popullatat e pafavorizuara dhe midis grupeve etnike zezake dhe hispanike, si dhe po rritet mosha e diagnostikimit: nëse më parë arrinte mesatarisht 13 vjet, tani shohim njerëz të diagnostikuar më së shpeshti rreth moshës 30-vjeçare, që është një tjetër aspekt pak i njohur i fenomenit.