tet222024
Sëmundjet autoimune. Roli i xhenxhefilit në kontrollin e inflamacionit
Plotësimi me xhenxhefil mund të luajë një rol në kontrollin e inflamacionit te njerëzit që bashkëjetojnë me një sëmundje autoimune. Ky fakt u konstatua nga një studim i koordinuar nga Ramadan Ali nga Universiteti i Miçiganit në SHBA. Qëllimi kryesor i studimit ishte të analizonte ndikimin e suplementeve të xhenxhefilit te neutrofilet, një lloj i qelizave të bardha të gjakut, veçanërisht në formimin e të ashtuquajturit kurthi jashtëqelizor neutrofil (NET), një strukturë mikroskopike e ngjashme me rrjetën e merimangës, e cila nxit inflamacionin dhe formimin e mpiksjes, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shumë sëmundjeve autoimune duke përfshirë lupusin eritematoz, sindromën antifosfolipide dhe artritin reumatoid.
Sipas autorëve, ekzistojnë disa produkte natyrale të cilat kanë veti antiinflamatore dhe janë burime potencialisht të pashfrytëzuara të substancave që kundërshtojnë NETosis, formimin e NETs. I njëjti ekip studiuesish kishte raportuar më parë se një preparat i 6-gingerol, përbërësi fitokimik bioaktiv më i bollshëm te xhenxhefili, ishte në gjendje të frenonte aktivitetin e fosfodiesterazës në neutrofile, duke rritur nivelet e AMP ciklike ndërqelizore dhe në këtë mënyrë u vu re edhe kundërveprimi i aktivitetit të këtij produkti në neutrofile, në modelet e kafshëve. Megjithatë, për të kuptuar më mirë përfitimet e mundshme të xhenxhefilit, produkti duhej të testohej nga goja.
Testet e para të kryera nga grupi amerikan morën në konsideratë nëntë vullnetarë të shëndetshëm të cilët morën suplemente xhenxhefili në një dozë prej 100 mg çdo ditë për shtatë ditë, që korrespondon me 20 mg gingerol. Nga ky studim, studiuesit vunë re se te vullnetarët e shëndetshëm, një rritje e AMP ciklike (cAMP) mund të vërehej brenda neutrofileve. Këto nivele të larta të cAMP do të frenonin më pas NETosis e cila aktivizohet në përgjigje të stimujve të ndryshëm. Duke u nisur nga këto rezultate, studiuesit tani synojnë të fillojnë një provë klinike specifike për suplememntimin e xhenxhefilit te pacientët me sëmundje autoimune dhe inflamatore, në të cilat neutrofilet janë hiperaktivë.
Burimi:
Ali R. A. et al., Ginger intake suppresses neutrophil extracellular trap formation in autoimmune mice and healthy humans. JCI Insight (2023) - doi: 10.1172/jci.insight.172011