sht262014
Po mbahet në Tiranë, Forumi i 8-të Ballkanik i Fondeve të Sigurimit Shëndetësor
Në datat 25 dhe 26 shtator është duke u zhvilluar në Tiranë Forumi i 8-të Ballkanik i Institucioneve të Sigurimeve Shëndetësore me temë "Financimi dhe sfidat në sistemet e kujdesit shëndetësor për rajonin e Ballkanit", organizuar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, nën kujdesin e drejtorit të përgjithshëm dr. Astrit Beci.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë përfaqësues nga Fondi, Ministria e Shëndetësisë dhe institucione të tjera, përfaqësues në nivel drejtues të institucioneve homologe të Ballkanit.
Çështjet kryesore për diskutim janë:
- Reformat aktuale për përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të skemave të sigurimeve shëndetësore.
- Blerja strategjike e paketave të shërbimeve shëndetësore me synim rritjen e efiçencës dhe cilësisë.
- Parandalimi i shkeljeve në financim nëpërmjet auditit mjekësor.
- Teknologjitë e informacioneve të komunikimit në mbështetje të skemës së sigurimeve shëndetësore.
Në sesionin e hapjes, Ministri Beqaj u fokusua në angazhimin kryesor të Qeverisë shqiptare në fushën e shëndetësisë, ku janë hedhur hapat e parë të një reforme radikale që do të sigurojë ofrimin e kujdesit shëndetësor universal për të gjithë banorët rezidentë shqipëtarë.
U përmend Paketa e Kontrollit Bazë Shëndetësor Falas për grupmoshën 40-65 vjeç dhe miratimi i 10 paketave të shërbimeve shëndetësore të financuara 100% nga Qeveria si në shërbimin publik spitalor dhe atë jo publik.
Z. Beqaj u ndal dhe në nismën e pak ditëve më parë, 19 shtator 2014, nga një grup prej më shumë se 50 partnerësh nismëtarë përfshirë OBSH, Bankën Botërore me mbështetjetë Rockefeller Foundation të cilët shpallën për herë të parë kremtimin e datës 12 dhjetor 2014 si Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal.
"Shëndeti për të gjithë" është dhe duhet të jetë një objektiv i arritshëm, mbylli fjalën e tij Z. Ministër.