dhj22014
Vaksina anti-grip me probleme
Ministria e Shëndetësisë: Vaksina "Fluad" nuk është importuar në Shqipëri
Prej disa ditësh mediat italiane raportojnë për 13 persona që kanë humbur jetën pasi kanë injektuar vaksinën anti-grip. Bëhet fjalë pikërisht për vaksinën që të mbron nga virusi i gripit "Fluad" i prodhuesit farmaceutik "Novartis". Madje në Italinë fqinje janë tërhequr nga tregu farmaceutik disa lote të kësaj kompanie.
Kjo ka alarmuar dhe qytetarët në Shqipëri të cilët kanë bërë vaksinën anti-grip për këtë vit apo që kërkonin nëpër farmaci për ta bërë deri para pak ditësh e tanimë refuzojnë."Me këto që po dëgjojmë, më mirë nuk e bëj fare vaksinën. Le të më zërë gripi",- shprehet Shpresa, një grua tek të 60-at. Menjëherë pas alarmit në vendin fqinjë dhe situatës së krijuar ne vend, ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp Ministria shqiptare e Shëndetësisë duke sqaruar se asnjë shtam i kësaj vaksine, prodhim i kësaj kompanie farmaceutike nuk është importuar në Shqipëri ."Aktualisht Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ka autorizuar importin e shtameve të tre vaksinave:
1.Vaxigrip -- prodhim i Sanofi Pasteur, importuar nga Imifarma
2.Fluarix--prodhim i GSK ,importuar nga Rejsi Farma dhe Avicena
3. Influvac--prodhim i Abbott, importuar nga Fufarma,Deltapharma-al dhe Megapharm "- theksohet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Shqipëria ndjek rekomandimet e OBSH-së në lidhje me shtamet e vaksinave që duhen përdorur për çdo sezon gripal. Për sezonin e gripit në periudhën 2014-2015, OBSH ka rekomanduar për përbërjen e viruseve të gripit :
-A/California/7/2009 (H1N1)pdm09-like virus
-A/Texas/50/2012(H3N2)-like virus
-B/Massachusetts/2.2012-like virus.
Përgatiti: Alma Demiraj