dhj192014
Çmimet e barnave, kompanitë farmaceutike letër ankese. Ministria: Jemi duke negociuar
Ulja e çmimeve të barnave për vitin 2015 ka shqetësuar një pjesë të mirë te kompanive të mëdha të cilat tregtojnë barna në vendin tonë. Sipas tyre, ulja e çmimit të barnave është një veprim i menduar jo mirë nga ana e Ministrisë. Burime nga këto kompani thonë se kjo do të ndikojë direkt ne uljen e marzhit të tregtimit dhe fitimit. Ministria e Shëndetësisë është duke marrë si çmim reference çmimin më të ulët ndër 5 vende ku kompanitë farmaceutike tregtojnë, por një gjë e tillë nuk është e drejtë. Në vendet ku aplikohet një çmim i tillë, kompanitë mëmë kanë lehtësira të tjera, si aksesi në tenderat për furnizmin e spitaleve me barna apo janë të përfshira në listën e barnave te rimbursueshme në vendin ku aplikohet si i tillë thonë ata. Por, megjithatë përfaqësues të këtyre kompanive thonë se janë duke negociuar me ministrinë për të parë mundësinë e një kompromisi mes tyre. Paralelisht më këtë kanë vënë në dijeni përfaqësitë diplomatike duke i sqaruar se një vendim i tillë cenon tregtinë e lirë. Të kontaktuar nga Farmacist33.al burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë thonë se kompanitë janë njoftuar për këtë ulje të çmimit të barnave që në muajin tetor me vendimin e marrë:
Për Metodologjinë e përcaktimit të çmimeve të barnave dhe mënyrën e administrimit të deklarimeve të tyre në Republikën e Shqipërisë, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.645, datë 1.10.2014" .
Megjithatë, thonë ata, ne jemi duke pritur ankesa të kompanive farmaceutike.''Çmimet e barnave janë miratuar tanimë dhe ato i gjeni të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë Shëndetësisë. Ne jemi duke pritur ankesa të kompanive farmaceutike për ndonjë gabim njerëzor që mund të jetë bërë në përllogaritje dhe patjetër që do të ndryshohet. Ne e kemi thënë dhe nuk tërhiqemi prej asaj që pacientët shqiptarë nuk kanë pse të blejnë barna më të shtrenjta se në vende të tjera'', shprehen burime nga Ministria e Shëndetësisë për Farmacist 33.al .
Në këtë situatë pritet një reagim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë nëse do të favorizojë apo jo kompanitë farmaceutike duke rritur aksesshueshmërinë në tendera spitalorë apo në listën e rimbursueshme .
Çmimet e barnave që do të aplikohen për vitin 2015 mund t'i gjeni duke klikuar këtu
Përgatiti: Alma Demiraj