shk262019
Pritja e indeksimit të çmimit, krijon mungesa të barnave në tregun farmaceutik
Indeksimi i çmimit të barnave i cili pritet ta ulë çmimin e tyre nga 5, deri në 10 %, duket se ka bllokuar tregun farmaceutik. Agjencia e Barnave nuk lëshon pulla që i vendosen barit në ambalazh bashkë me çmimin. Kjo, jo më për arsye se nuk janë zhvilluar tenderët për prodhimin e pullës, por sepse këtë radhë pritet të dalë nga Këshilli i Ministrave, vendimi për indeksimin e çmimit të barnave.
Ndërkohë, në tregun farmaceutik ka mungesa të theksuara të barnave të cilat janë në listën me rimbursim dhe që kanë konsum të gjerë në popullatë. Një ndër këto barna është insulina për pacientët me diabet apo valsartani, për pacientët që mjekohen për tensionin dhe aspirina.
Ka ende barna të tjera që mungojnë nëpër farmaci. Ndonëse ka mbi një muaj që kompanitë kanë sjellë furnizimin për tregun shqiptar, barnat nuk pajisen me pullë për të dalë më pas në treg. Fondi, nga ana tjetër, iu kërkon farmacive të marrin masa në mënyrë që të mos u mbeten shumë barna stok. Por, farmacitë kërkojnë minimalisht një muaj kohë që nga dalja e vendimit për indeksimin çmimit të barnave.
Agjencia e Barnave, e pyetur nga Farmacist33.al në lidhje me këtë ngërç të krijuar, thotë se janë lëshuar pullat për ato barna që nuk kanë pasur ndryshim çmimi për vitin 2019. Ndërsa, për barnat që kanë pasur ndryshime të çmimeve CIF, Agjencia ka marrë masat për të lëshuar lejen e përdorimit dhe autorizimin e pullës, si dhe po vijon pajisjen me pullë, sipas VKM-së në fuqi.
Alma Demiraj