maj172022
Çrregullimet gastrointestinale dhe këshilla e farmacistit. Simptomat që tregojnë ashpërsinë dhe kronicizimin
Ndryshimet në ritmet intestinale (kapsllëk, diarre ose fryrje), veçanërisht nëse shoqërohen me rënie apo shtim të pashpjegueshëm në peshë, dhimbje të vazhdueshme barku, urth të fortë, janë vetëm disa nga simptomat të cilave duhet t'u kushtojë vëmendje farmacisti për t'i rekomanduar një vizitë të specializuar pacientit që hyn në farmaci dhe kërkon këshilla se çfarë medikamenti duhet të marrë.
Dalloni simptomat e lehta dhe mesatare, nga manifestimet e rënda dhe kronike
Shumë pacientë vuajnë nga probleme të lehta/mesatare gastrointestinale, si: kapsllëk, diarre, fryrje, urth dhe dispepsi dhe zgjedhin të marrin medikamente OTC, ndërsa farmacistët që mund t'i ndihmojnë të marrin ato më të përshtatshmet, duke u siguruar që përdorimi i tyre të jetë i duhuri. Këto barna pa recetë janë të dobishme për sëmundje të lehta, por në rastet e simptomave të vazhdueshme dhe kronike gastrointestinale, farmacisti duhet ta inkurajojë pacientin të kontaktojë mjekun e tij të përgjithshëm ose një specialist. Në veçanti, ndryshimet në zakonet intestinale, veçanërisht kapsllëku kronik ose diarreja, ndryshimet në konsistencën e jashtëqitjes, veçanërisht nëse shoqërohen me rënie ose shtim të pashpjegueshëm në peshë, vështirësi në gëlltitje, dhimbje dhe/ose çrregullime të vazhdueshme të barkut, dispne dhe urth ose rëndesë në stomak, të përziera dhe të vjella dhe shenja të gjakderdhjes nga zorra ose e mukusit në jashtëqitje, duhet të hetohen. Në këtë mënyrë, farmacistët mund t'i ndihmojnë pacientët të identifikojnë shenjat dhe simptomat që kanë nevojë për një vlerësim të menjëhershëm ose më të plotë mjekësor. Farmacistët gjithashtu mund t'iu shpjegojnë pacientëve stilin e duhur të jetesës për të favorizuar shëndetin e tyre gastrointestinal, si: konsumimi i fibrave, një dietë e ekuilibruar, ushtrimet e duhura, ruajtja e peshës ideale të trupit, mospirja e duhanit, reduktimi i stresit dhe qëndrimi i hidratuar. Së fundi, ky profesionist i kujdesit shëndetësor mund të luajë gjithashtu një rol për t'u kujtuar pacientëve rëndësinë e shqyrtimit të kancerit kolorektal, i rekomanduar përgjithësisht nga mosha 45 vjeç, por edhe më herët, te njerëzit në rrezik të shtuar.
Përhapja e çrregullimeve gastrointestinale
Sipas Organizatës Botërore të Gastroenterologjisë, 33% e popullsisë së botës vuan nga simptoma gastrointestinale, më së shpeshti, fryrje dhe kapsllëk. Përveç kësaj, të dhënat nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA tregojnë se më shumë se 60 milionë amerikanë kanë urth të paktën një herë në muaj dhe 15 milionë vetë e përjetojnë këtë simptomë çdo ditë. Në Itali, nga një hulumtim i vitit 2021 i kryer nga Shoqata Kombëtare e Vetëmjekimit, Assosalute, u vu re se 56% e italianëve vuajnë nga çrregullime gastrointestinale, një rritje kjo, krahasuar me 47,8% në vitin 2019. Në këtë kontekst, pandemia COVID-19 mund të ketë nxitur faktorë të tillë si ankthi dhe depresioni, të cilët kanë çuar në përkeqësim të simptomave të tilla, si: sindroma e zorrës së irrituar, dhimbje barku, kapsllëk ose diarre.
Sabina Mastrangelo
Burime:
https://www.pharmacytimes.com/view/help-patients-determine-when-to-seek-medical-care-for-gi-issues