nën52021
Çrregullimet e stinës, barnat OTC dhe këshillat e farmacistit
Teshtimat, dhimbja e kokës, e fytit, rrufa dhe ndjesia e përgjithshme e lodhjes janë simptomat më të zakonshme të sindromave nga ftohja dhe sëmundjet e hershme sezonale, për shkak të ndryshimeve të temperaturës. Falë kurave shtëpiake, barnave pa recetë dhe këshillave të farmacistit për përdorimin e duhur, pacientët nuk do të gjenden të papërgatitur. Assosalute, shoqata kombëtare italiane e barnave për vetëmjekim, pjesë e Federchimica-s, ka një sërë sugjerimesh...
Çrregullimet e lehta për shkak të ndërrimit të stinëve
Çrregullimet e lehta që ndodhin në këtë ndërrim stine janë të ndryshme dhe iu atribuohen si viruseve tipike të stinës së vjeshtës, ashtu edhe ekspozimit ndaj të ftohtit: sëmundjet e ngjashme me gripin, zakonisht kontraktohen nga ajri nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me pështymën ose sekrecionet respiratore të lëshuara në ajër nga individët e infektuar dhe manifestohen me simptoma të tilla si hunda e bllokuar dhe që rrjedh, teshtimat e përsëritura, skuqja e syve, dhimbja e kokës që pason kongjestionin nazal dhe ndonjëherë, mund të shfaqet edhe pak temperaturë. Simptomat e ftohjes mund të përfaqësojnë gjithashtu një reagim të mukozës së hundës ndaj temperaturave të ulëta. Kujdes edhe me fytin. Në këtë stinë nuk është e pazakontë që fyti të acarohet dhe të inflamohet dhe mund të shfaqet faringit, i shoqëruar me të ftohtin e zakonshëm ose infeksione të tjera virale të rrugëve të sipërme respiratore, ndërsa në raste më të rralla, dhimbja e fytit mund të shoqërohet me tonsilitet, më shpesh, me natyrë bakteriale. Dhimbja e fytit ndonjëherë është aq e fortë sa është e vështirë gëlltitja. Ftohja e parë dhe ndryshimet e papritura të temperaturës mund të favorizojnë gjithashtu shfaqjen e herpesit të buzëve, me shumë gjasa, me ndryshimin e klimës, në prani të situatave stresuese ose një diete të pabalancuar.
Nga kurat shtëpiake, te këshillat e farmacistit
Frutat dhe perimet janë të mira për frymëmarrjen, pasi i sigurojnë trupit tonë lëndë ushqyese të dobishme për mirëqenien respiratore. Rimbushja me vitaminë C duke pirë, për shembull, një lëng portokalli të saposhtrydhur në mëngjes, është një mënyrë e shkëlqyer për t'u përgatitur për motin e parë të ftohtë dhe për të luftuar çrregullimet e stinës.
Dihet tashmë se, kur ftohja e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes stimulon prodhimin e mukusit në mukozën e hundës duke "bllokuar" kalimin e lirë të ajrit nëpër vrimat e hundës, gjyshet tona përdornin lloje të ndryshme kundërmasash dekongjestive, që nga avullimi klasik, te përdorimi i çajrave me barishte natyrale, si sherebela, me veprim balsamik dhe dekongjestionant, deri te kompresat vërtet kuruese që aplikohen pranë rrugëve të frymëmarrjes.
Sot, përveç kurave shtëpiake, të dobishme për lehtësimin e simptomave të sëmundjeve të stinës, në dispozicion janë edhe barnat pa recetë, si: antiinflamatorët josteroidë, dekongjestionantët nazalë, antiseptikët e zgavrës së gojës, të cilët kur përdoren siç duhet, sipas udhëzimeve në fletëudhëzuesin e paketimit, lehtësojnë intensitetin e simptomave. Barnat antiinflamatore josteroide mund të shërbejnë si aleatë efektivë për të reduktuar inflamacionin e mukozës nazale dhe simptomat e lidhura me të, si dhimbja e kokës ose dhimbja e fytit, kundër të cilave janë të dobishme edhe barnat antiseptike, ndërsa dekongjestionantët ndihmojnë në përmirësimin respirator, duke kufizuar kongjestionin nazal, megjithëse Assosalute rikujton se nuk duhet të përdoren për periudha të gjata kohore.
Nga ana tjetër, për herpesin e buzëve, indikohen barnat vetëmjekuese me veprim antiviral që aplikohen lokalisht, për të kufizuar kohëzgjatjen dhe ashpërsinë e lezioneve në buzë dhe për të lehtësuar dhimbjen. Sëmundjet sezonale që kthehen me ftohjet e para, luftohen më mirë nëse trajtohen siç duhet, me kombinimin e duhur të kurave të thjeshta në shtëpi dhe përdorimit të përgjegjshëm të barnave pa recetë. Kini parasysh se duhet të kontaktohet me farmacistin për dyshime ose këshilla në lidhje me përdorimin e saktë të barnave dhe me mjekun e familjes, në rast se simptomat nuk përmirësohen ose përkeqësohen pas disa ditësh.