jan232015
Përfaqësitë farmaceutike krijojnë një grupim të ri
Në kohën kur debati mbi çmimin e barnave mbetet aktual në vend, një grup prej 12 kompanish farmaceutike prezantuan dje në ambientet e Hotel Rogner, Shoqatën Shqiptare të Kompanive Farmaceutike. Grupimi i sapo krijuar vjen si një domosdoshmëri në tregun farmaceutik shqiptar, i cili do të ofrojë mendimin e grupit të interesit për ndryshime apo përmirësime në fushën e farmaceutikës, me qëllim që të gjitha ndryshimet legjislative apo rregullatore të kenë një synim të përbashkët: përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve shqiptarë.
Në takimin ku ishin të pranishme 50% e kompanive farmaceutike operuese në vend, kryesia e shoqatës u prezantua nga Dr.Kliti Hoti përfaqësues i kompanisë "Novartis", Indrit Tershana nga "Nobel", Brikena Fasko nga"Alvogen", Dr. Abdurrahim Palushi nga "Actavis" dhe Dr.Rezeart Agolli nga "Sandoz".
"Shoqata ka si qëllim konsolidimin e partneritetit të përfaqësive farmaceutike me autoritetet shtetërore shëndetësore si dhe përmirësimin e imazhit të kompanive farmaceutike të cilat paragjykohen për përfitime kolosale dhe të padrejta duke abuzuar me çmimin e barnave", tha ndër të tjera Dr.Kliti Hoti.
Komunikimi me autoritet shëndetësore, sipas përfaqësuesve te Shoqatës së Kompanive Farmaceutike, do të jetë në funksion të transparencës dhe ndërtimit të një marrëdhënie me në qendër pacientët, për t'u ofruar atyre barnat më të mira të teknologjisë botërore, si dhe duke i garantuar cilësi dhe efikasitet, që janë edhe prioritetet e kompanive që aderojnë në këtë shoqatë.
Klikoni ketu per te lexuar deklaraten per shtyp te Shoqates Shqiptare te Kompanive Farmaceutike