jan302015
Shoqatë e re e Kompanive Farmaceutike, Kliti Hoti: Një zë i fortë për ndryshimin e imazhit në farmaceutikë. Roland Xhafaj: E mirëpritur, në farmaceutikë ka gjithmonë nevojë për grupe interesi që mbrojnë interesat e saj
Ka vetëm pak ditë kur në tregun farmaceutik është krijuar një tjetër shoqatë, ajo e kompanive farmaceutike e cila sipas kreut të saj, Kliti Hoti, përfshin kompani farmaceutike xhenerike dhe jo vetëm. Deri më tani kanë ekzistuar Shoqata e Përfaqësive të Kompanive Farmaceutike që janë kompanitë me barna brand me kryetar z.Roland Xhafaj, Shoqata e Grosistëve me kryetar z.Kastriot Zotaj dhe së fundmi edhe Shoqata e Kompanive Farmaceutike kryesisht atyre xhenerike me kryetar z.Kliti Hoti.
I pyetur nga Farmacist33.al rreth idesë së krijimit të shoqatës më të re në tregun farmaceutik kreu i saj Kliti Hoti shpjegon se kjo ide ka lindur prej gati një viti. Ai shton se shoqata do të ketë prioritet nevojat e pacientit dhe do të punojë fort për ndryshimin e imazhit të tregut farmaceutik që sipas tij për arsye objektive dhe subjektive nuk është i mirë.
"Ideja e krijimit të shoqatës ka më se një vit. Të krijohet si një grup interesi që të mbrojë jo vetëm interesat e anëtarëve të shoqatës, por të japë një mesazh për mbrojtjen e interesave të pacientëve. Përsa i përket produkteve farmaceutike që janë në tregun farmaceutik shqiptar mund të themi që tregu shqiptar është shumë mirë i rregulluar. Sigurisht ka nevojë për përmirësime. Ka nevojë për të kaluar në nivelin tjetër, por e rëndësishme është që produkti farmaceutik shqiptar është produkti cilësor i garantuar dhe më i rregulluar se të gjithë produktet e tjera që janë në Republikën e Shqipërisë. Ideja është që të bashkojmë forcat për të pasur një zë i cili mund të jetë shumë i fortë dhe në partneritet me autoritetet shëndetësore", ka deklaruar z.Hoti
Ndërsa kreu i Shoqatës së Përfaqësive Farmaceutike, z.Roland Xhafaj, e shikon krijimin e një shoqate të re si një grup interesi të nevojshëm për të dhënë kontributin e tij në mbrojtje të interesave të industrisë farmaceutike
Ne mendojmë se çdo grup interesi që dëshiron të kontribuojë në përmirësimin e një standardi të një mjedisi ku operon është i mirëpritur. Në rastin e farmaceutikës është gjithmonë e nevojshme që të ketë grupe interesi që mbrojnë interesat e industrisë farmaceutike. Shoqata që ne përfaqësojmë përbëhet nga kompanitë multinacionale brand apo inovative që në bazën e tyre kanë kërkim-zhvillimin dhe shpikjen e formulave të reja. Kjo është e veçanta që na diferencon nga pjesa tjetër e aktorëve në farmaceutikë. Qëllimi ynë është që të rregullojmë mënyrën e funksionimit të vetë kompanive farmaceutike. Në industrinë farmaceutike marrëdhënia midis saj, personelit shëndetësor, mjekë, farmacistë, infermierë duhet të jetë e pastër ndaj çdo lloj konflikt interesi, ku mbi të gjitha të dominojë interesi i pacientit dhe i shërbimit shëndetësor. Ndaj të gjitha kompanitë anëtare kanë një kod promocioni i cili rregullon mënyrën se si duhet të operojë secila. Shoqata jonë ka hyrë me një kod promocioni që në vitin 2006 dhe është kodi më i përditësuar i Federatës Evropiane të Kompanive Inovative Farmaceutike. Dhe besoj, kjo është diferenca më e madhe që kemi me grupet e tjera të interesit. Në përpjekje për të mbrojtur interesat e kompanive që përfaqësojmë ne kemi marrëdhënie korrekte me Ministrinë e Shëndetësisë dhe autoritete të tjera, si dhe kemi bashkëpunuar më institucione të besueshme në vend si Delegacioni i BE-së, ambasadat e të tjera", sqaron z.Xhafaj në lidhje me shoqatën që ai drejton.
Përgatiti: Alma Demiraj