mar202015
Lista e barnave të rimbursueshme, çmime të rritura për alternativat e para
Vetëm pak ditë kur tanimë është bërë publike lista e barnave të rimbursueshme dhe pritet të hyjë në fuqi në 1 Prill, kanë ardhur dhe reagimet e para. Përfaqësues të tregut farmaceutik të cilët importojnë barna, por dhe ata që shpërndajnë barna për tregun shqiptar, ndonëse nuk pranojnë të citohen me emra, shprehen se çmimet e barnave alternativë e parë e listës (të paktën një pjesë e mirë e tyre) janë rritur këtë vit krahasuar me vitin 2014.
Në një kohë që prisnim një ulje të çmimit të të gjitha barnave, siç dhe ishte shprehur Ministria e Shëndetësisë, vërejmë se për pothuajse 25% të alternativave të para të listës së rimbursimit çmimet jane rritur mesatarisht me 30%. Kjo rritje, vijojnë ata, vërehet kryesisht për barnat e kompanisë "Profarma", ndërsa çmimet e barnave të importit janë ulur në mënyrë të njëanshme nga MSH nderkohë që nuk kuptohet përse është pranuar rritja e çmimeve të produkteve alternativë e parë dhe çfarë impakti do të ketë kjo rritje në buxhetin e shtetit.
Në listën e barnave të rimbursueshme këtë vit vihet re se nga 475 barna alternativa të para, 103 prej tyre i përkasin kompanisë "Profarma", që përllogariten në rreth 22% e listës. Farmacist33.al përcolli këtë shqetësim pranë Fondit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, i cili merret me hartimin e listës së barnave pasi komisioni i çmimit të barnave në Ministrinë e Shëndetësisë të ketë verifikuar çmimet e barnave të ofruara nga kompanitë farmaceutike. Burime pranë Fondit thonë se në listën e barnave të rimbursueshme, këto të fundit renditen sipas çmimit. "Sipas ligjit renditet si alternativë e parë bari me çmimin më të lirë. Preparatet e tregut vendas në çmimet e tyre relatuar në Ministrinë e Shëndetësisë janë më lirë se preparatet e tjera që importohen nga jashtë. Kjo për shumicën e tyre".
Ky është shpjegimi që bëhet nga Fondi, duke lënë të kuptohet se kompania "Profarma" nuk është favorizuar në listën e barnave të rimbursueshme.
Farmacist33.al