pri72015
Fondi ngre grup pune për miratimin e listës së rimbursimit për pajisjet mjekësore
Tashmë dihet se pas hyrjes në fuqi të listës së barnave të rimbursueshme 2015, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të rimbursojë edhe një pjesë të pajisjeve mjekësore. Kjo nismë është mundësuar falë hapësirave të reja ligjore, megjithatë ende nuk është bërë e ditur se sa është fondi i përcaktuar për rimbursimin e materialeve mjekësore të premtuara nga FSDKSH. E pyetur nga Farmacist33.al mbi këtë fakt dhe se cilat materiale pritet të rimbursohen, znj. Etiola Kola, zëdhënëse e FSDKSH, thotë se është ngritur një grup pune i cili është duke shqyrtuar mundësitë e rimbursimit dhe përzgjedhjen e materialeve. Ditë më parë mediat përmendën disa prej tyre: si aget, fisha, protezat, pompat e insulinës për diabetikët, por znj. Kola konfirmon nga këto vetëm strishat, ndërkaq shton se rimbursim do të ketë edhe për kategori të tjera pacientësh, si ata që vuajnë nga sëmundjet kardiake apo të aparatit tretës etj. "Tanimë kemi hapësirat ligjore për të rimbursuar edhe materiale mjekësore, për të cilat ka patur kërkesa të vazhdueshme në Fond nga popullata në nevojë. Ne do të bëjmë të mundur këtë vit (brenda pak muajsh) edhe rimbursimin e materialeve mjekësore, siç janë strishat për diabetikët, aq të nevojshme për të mbajtur nën kontroll sëmundshmërinë e për pasojë, për të patur një mjekim efikas e cilësor për pacientët; qeset njëpërdorimshe për shkarkimin kolostomik; disa pajisje për kardiologjinë invasive, etj.", shprehet znj. Kola. Duke qenë se lista e barnave të rimbursueshme 2015 ka hyrë në fuqi më 1 prill, ajo që duan të dinë të pacientët është jo vetëm informimi mbi llojin e pajisjeve që do të rimbursohen, por edhe afati i hyrjes së tyre në fuqi meqë edhe muajt kalojnë.