qer252019
Tregu farmaceutik rrezikon furnizimin me barna. Importuesit dhe distributorët nuk pranojnë të firmosin kontratë me FSDKSH-në
Shoqata e Importuesve dhe Shpërndarësve të Produkteve Farmaceutike i ka dërguar një letër Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku njofton se nuk do të firmosë kontratë me Fondin për vitin 2019. Anëtarët e shoqatës që kanë firmosur letrën dërguar FSDKSH-së, sqarojnë se neni i parë i kontratës dypalëshe që duhet firmosur ndërmjet tyre dhe Fondit, është kusht i panegociueshëm.
Ajo lidhet pikërisht me përgjegjësinë që iu ngarkon Fondi në rast të krijimit të vonesave apo mungesave të barnave në tregun farmaceutik.
"Neni 1 Objekt i kontratës duhet të ndryshohet përsa i përket disponibilitetit, pasi importuesi dhe shpërndarësi sigurojnë importin dhe shpërndarjen e barnave në varësi të disponibilitetit të siguruar nga mbajtësi i autorizimit për tregtim. Propozohet ndryshim i kontratës", thuhet në letër.
Nga ana tjetër, kërkohet t'u hiqet përgjegjësia kur mungojnë barna që janë alternativë e parë dhe e vetme në listën e barnave me rimbursim. Sipas tyre, disponibiliteti nuk mund të jetë përgjegjësi e importuesit, por sërish, e mbajtësit të autorizimit për tregtim, pasi disponibiliteti mund të mos sigurohet për çështje të ndryshme, si probleme prodhimi për shkak të mungesës së lëndës së parë, probleme ndërinstitucionale, si miratimi i çmimit nga Ministria e Shëndetësisë, Agjencia e Barnave, FSDKSH-ja, për shkak të moskoordinimit ndërmjet tyre.
Ndaj, e shkruar e zeza në të bardhë, 16 shoqëri importuese dhe shpërndarëse paralajmërojnë FSDKSH-në se nuk lidhin kontrata për vitin 2019. Ato theksojnë se janë të gatshme të dakordësojnë me FSDKSH-në për hartimin e një kontrate në funksion të mbrojtjes së tregut farmaceutik nga fiktiviteti dhe zinxhiri joligjor i qarkullimit të barnave.
Më poshtë, letra e plotë.
Alma Demiraj