sht112018
Kontrolli i Lartë i Shtetit: FSDKSH-ja ka alokuar 2 miliardë lekë shtesë për barna të rimbursueshme
Dyshohet për një tjetër skemë mashtrimi me barnat me rimbursim. Bëhet fjalë për afro 2 miliardë lekë të reja të cilat nuk dihet se ku janë shpenzuar. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në qershor të vitit 2017 e në vazhdim, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka alokuar 2 miliardë lekë të reja shtesë pasi kishte planifikuar rritje të numrit të pacientëve kronikë të cilët përfitojnë barna me rimbursim.
Por, nga auditi i kryer, ka rezultuar se në këtë periudhë, jo vetëm që nuk ka pasur rritje të numrit të pacientëve, por ka patur edhe ulje të tyre. Vetëm në Qendrën Spitalore Universitare ka patur një rritje të numrit të recetave, me 3.4%, shifër e cila sipas ekspertëve të KLSH-së, nuk e justifikon fondin e alokuar, thotë drejtori i auditimit të performancës pranë këtij institucioni, zoti Rinald Muça.
"Ajo që ka ndodhur është se, është parashikuar që të rritet numri i pacientëve kronikë, por në fakt, nga auditimi ynë është konstatuar që kemi një rënie të numrit të pacientëve krahasuar me vitin 2016, në masën 720 pacientë. Pra, kemi rialokim të paligjshëm në masën dy miliardë lekë për rimbursimin e barnave dhe, nga ana tjetër, rritja e numrit të recetave me 3.4% nuk e justifikon rritjen e kësaj shume të rialokuar për rimbursim", shprehet zoti Muça.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e quan keqmenaxhim të fondeve për sa kohë nuk dihet se ku kanë shkuar këto para, të cilat i kanë rritur shpenzimet për rimbursimin e barnave nga qershori 2017 e në vazhdim, me rreth 23 %. Por, sipas zotit Muça, ky raport i është dërguar prokurorisë për të nisur një hetim më të detajuar, ndërkohë që edhe vetë KLSH-ja pritet të nisë një tjetër audit për të gjetur destinacionin e afro 2 miliardë lekëve.
Alma Demiraj