Inspektorati Sanitar Shtetëror nuk konsideron më të vlefshme lejet higjieno -sanitare të lëshuara nga Drejtoritë e Shëndetit Publik. Ai u kërkon të gjithë bizneseve, pjesë e të cilëve janë dhe farmacitë që të kujdesen për të pasur në subjektin e tyre të licencuar aktin normativ higjieno-sanitar, e cila është kompetencë e Inspektoratit Sanitar Shtetëror. Ky akt normativ merret vetëm njëherë, kur biznesi licencohet dhe fillon nga puna, dhe ka vlerë për sa kohë biznesi do të qëndrojë i hapur. Sipas kreut të Inspektoratit Sanitar të Tiranës, z.Gjergji Koja, vetëm nëse biznesi ndërron destinacion, atëherë i nevojitet të pajiset sërish me akt normativ higjieno-sanitar për destinacionin e ri."Ky dokument është pjesë e setit të praktikave të unifikuara nga Inspektorati Qendror Teknik. Leja higjieno- sanitare nuk është më e vlefshme që nga momenti i ndryshimeve të bëra në ligjin e inspektimeve me numër 76/ 43 (i ndryshuar). Inspektorët janë duke njoftuar të gjithë subjektet për t'u pajisur më këtë dokument siç e kërkon ligji",thekson zoti Koja.
Pajisja me akt normativ higjieno-sanitar është kompetencë e ISSH-së, ndërkohë që pajisja e farmacistëve me librezë shëndetësore mbetet kompetencë e Drejtorive të Shëndetit Publik.
Inspektorët, të cilët janë duke monitoruar në terren plotësimin e subjekteve me dokumentacionin e rregullt u kanë lënë si detyrë atyre të nxitojnë të pajisen me këtë dokument i cili shoqërohet dhe me tarifë që varion nga 700 deri në 20 000 lekë, në varësi të llojit të biznesit.
Në rast se pas një kontrolli të dytë nga inspektorët, subjektet kapen duke ushtruar aktivitetin pa qenë të pajisur me këtë dokument, atëherë ndëshkohen me gjobë e cila është 10-fish më e lartë se tarifa përcaktuar.
Përgatiti: Alma Demiraj