tet232024
Aftet. Roli i farmacistit për trajtimin dhe menaxhimin
Aftet janë ndër sëmundjet ulceroze më të zakonshme të mukozës së gojës të cilat mund të shkaktojnë vështirësi në të folur dhe në të ngrënë, por jo vetëm kaq, ato ndikojnë negativisht edhe në cilësinë e jetës së pacientit.
Farmacisti është figura e parë profesionale me të cilën pacienti ndërlidhet në rast nevoje, duke qenë se ai mund të ofrojë këshilla të vlefshme edhe për çështjet e shëndetit oral. Terapia lokale është zgjedhja e parë e trajtimit dhe farmacisti ka një rol udhëheqës në rekomandimin e produktit më të përshtatshëm për pacientin.
Përhapja, shkaqet dhe llojet e afteve
Aftet janë lezione të dhimbshme që mund të shfaqen në gojë, buzë, faqe ose gjuhë. Simptomat shfaqen fillimisht me një ndjesi djegieje dhe më pas në fazën vijuese zhvillohet edema, e ndjekur nga inflamacioni lokal dhe ulcera. Ulcerat janë të vogla, të rrumbullakëta dhe përgjithësisht sipërfaqësore, me qendër nekrotike dhe buzë eritematoze.
Aftet mund të shfaqen në çdo moshë dhe mendohet se ato prekin rreth 5-25% të popullsisë. Prevalenca e tyre është më e lartë në vendet e zhvilluara dhe varion nga 5 në 60% ndërsa shkalla e recedivave mund të arrijë deri në 50%. Në bazë të llojit të lezionit, numrit dhe madhësisë, aftet ndahen në minore, madhore dhe herpetiforme. Më të zakonshmet janë aftët minore të cilat zhvillohen në 87% të rasteve. Etiologjia e tyre është ende e paqartë, por janë identifikuar faktorë të ndryshëm rreziku si trauma, faktorë gjenetikë dhe imunologjikë, stresi, faktorë bakterialë dhe viralë, sëmundje sistemike dhe mangësi vitaminash dhe mikronutrientësh.
Menaxhimi i afteve
Terapitë e rekomanduara kundër afteve kanë si synim të reduktojnë dhimbjen, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e shfaqjes. Produktet që kanë si bazë acidin hialuronik mund të aplikohen në mënyrë topike, ato janë të afta për të mbrojtur ulcerën nga pështyma dhe ushqimi dhe të reduktojnë dhimbjen e shkaktuar nga aftet.
Pra, duke marrë parasysh që indet orale janë të ekspozuara ndaj disa substancave që rrisin nivelet e stresit oksidativ, aplikimi i përbërjeve antioksiduese mund të sigurojë një efekt të dobishëm.
Një efekt mbrojtës mund të shoqërohet edhe me substanca të tilla si alantoina dhe ruskogjenina dhe vajra esencialë, si vaji i pemës së çajit, me aktivitet antiinflamator dhe ato që rrjedhin nga manuka, me aktivitet antibakterial dhe antimykotik. Për më tepër, ndër bimët medicinale, një derivat i jamballit, acidi glicirretinik, ka një efekt antiinflamator dhe antioksidant.
Roli i farmacistit
Një studim i publikuar së fundi ka treguar se më shumë se 80% e farmacistëve u pyetën për problemet e shëndetit oral deri në pesë herë ose më shumë në javë dhe më shumë se gjysma ishin të përfshirë në identifikimin e shenjave dhe simptomave. Farmacistët e komunitetit, për më tepër, veçanërisht në zonat rurale, por jo vetëm, janë pika e parë e kontaktit të pacientëve me një profesionist të kujdesit shëndetësor.
Kur rekomandon një produkt për aftet, farmacisti duhet të marrë parasysh një formulim që ofron lehtësim të menjëhershëm, i cili mbron dhe hidraton lezionin dhe që vepron në thellësi, duke përshpejtuar kohën e shërimit.
Në të njëjtën kohë, farmacisti duhet të këshillojë pacientët që vuajnë nga një formë e rëndë dhe refraktare ndaj trajtimit të aftëve të kombinojnë terapinë sistematike nën këshillën mjekësore dhe pacientët me ulcerë që vazhdon për më shumë se tre javë të kontaktojnë urgjentisht specialistin.