qer252015
Itali, operacioni PharmaLab zbulon trafikun e barnave prej dy milionë eurosh
Një farmaciste në Napoli, një ish-grosist në pension në Xhenova dhe 68 mijë konfeksione barnash të grabitura të konservuara në kushte të këqija ose në prag skadence. Këto janë elementet kryesore të operacionit "PharmaLab", i finalizuar nga grupi i Guardia di Finannca në Fiumiçino dhe Policia gjyqësore e Napolit. Malli i konfiskuar ka një vlerë tregu të barabartë me 1 milionë e 800 mijë euro ndërsa mësohet se e menaxhonte një grup kriminal i specializuar në tregtimin e barnave të vjedhura. Në një komunikatë të Guardia di Finanza thuhet se "është mundur që të pengohet hedhja në treg e mijëra barnave të shtrenjta, tashmë të papërdorshme dhe të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve. Kështu është shmangur që këto medikamente të zinin bankat e farmacive në të gjithë territorin kombëtar italian dhe ndalimin e grupit kriminal pa skrupuj që të fitonte në kurriz të shëndetit të pacientëve". Konfeksionet u gjetën gjatë kontrollit në një pronë private në Casoria, provincë e Napolit e shndërruar në depozitë të mallit, si dhe në dispozicion të prokurorisë janë filmimet video që tregojnë gjendjen e konservimit në kushte të këqija të produkteve, disa prej të cilave spitalore (antitrupa monoklonale, interferon), me datë skadence të mbivendosur. Me një Urdhër të Gjykatës së Napolit janë vënë nën arrest gjithsej 9 persona. Guardia di Finanza bën të ditur se grupi ishte specializuar në trafikimin e barnave të vjedhura dhe ishte aktiv në provincat e Napolit, Kazertës dhe Xhenovës. Nga shtypi lokal, mësohet në fakt se trafiku i barnave qarkullonte mes Kampanias dhe Ligurias, ku një ish grosist kontrollonte vjedhjen e OTC-ve, barnave antitumorale dhe të tjera medikamente jetike për shëndetin nga magazinat dhe kamionet e gjysmës së Italisë, për t'ua shitur më pas në të zezë grosistëve, jashtë shtetit.