qer242024
Semaglutidi fals. OBSH: Ja, si ta njihni e si të veproni
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nxori një paralajmërim mbi qarkullimin e tre loteve false të barit antidiabetik Ozempic (semaglutid). Përveçse ju fton të raportoni çdo efekt negativ, mungesë efikasiteti dhe falsifikim të dyshuar, ajo ofron edhe udhëzime se si të dalloni nëse produkti është fals.
Ozempic bën pjesë në një grup barnash të quajtura inhibitorë të peptidit-1 të ngjashëm me glukagonin (GLP-1), të rekomanduar për trajtimin e hiperglicemisë në diabetin melit të tipit 2 te të rriturit, adoleshentët dhe fëmijët 12 vjeç e lart.
Të treja lotet e identifikuara si false, jo të prodhuara nga Novo Nordisk janë: numri i lotit LP6F832, i cili nuk është i identifikueshëm, numri i lotit NAR0074 i kombinuar me numrin serial 430834149057, i cili nuk përkon me regjistrat e prodhimeve zyrtare, si edhe numri i lotit MP5E511, i cili është i vërtetë, por produkti është fals. Novo Nordisk konfirmoi se të treja produktet e përmendura në paralajmërim janë false.
OBSH u ka kërkuar enteve rregullatore të shtojnë vigjilencën mbi këto lote dhe mbi produktet antagoniste të produkteve të ngjashme me GLP-1 në përgjithësi. Gjithashtu, të kontaktojnë lëshuesit e autorizimeve të nxjerrjes në treg, me qëllim që të këshillohen mbi identifikimin e falsifikimeve të mundshme, të shtojnë mbikëqyrjen e shitjeve në të zezë, përfshirë edhe ato online. Profesionistëve shëndetësorë iu kërkua të raportojnë çdo incident të efekteve anësore, të mungesës së efikasitetit dhe në rast se dyshojnë për falsifikim te Autoritetet Rregullatore Kombëtare/Qendra e Farmakovigjilencës Kombëtare.
Rreziqet në shëndet
Në rast se zotëroni një nga produktet në fjalë, OBSH rekomandon që mos t'i përdorni. Përdorimi i Ozempic-ut fals mund të sjellë mungesë efikasiteti të trajtimit te pacientët për shkak të dozimeve të gabuara, kontaminimit me substanca të dëmshme, apo për shkak të përbërësve të panjohur, ose të zëvendësuar. Ai mund të shkaktojë rreziqe të tjera të rënda në shëndet për shkak të administrimit nëpërmjet injektimit subkutan, i cili mund të jetë vdekjeprurës. Në rast se ky produkt përdoret, apo nëse ka efekte anësore apo të padëshiruara pas përdorimit, rekomandohet këshillimi i menjëhershëm me mjekun, apo profesionistin shëndetësor.
Udhëzimet për identifikimin e produkteve false
Me qëllim identifikimin e produkteve false, duhet të verifikohet numri i lotit dhe numri serial i tyre. OBSH rekomandon mosshpërndarjen, mospërdorimin apo mosshitjen e produkteve të etiketuara me numrat e sipërpërmendur të loteve. Analizoni penën: penat e falsifikuara të Ozempic-ut mund të kenë një shkallë që shtrihet në të gjithë penën gjatë rregullimit të dozës. Vlerësoni cilësinë e etiketës: etiketa mund të jetë e një cilësie të dobët dhe mund të mos ngjitet mirë në penë. Së fundmi, kërkoni gabimet ortografike: paketimi i jashtëm mund të ketë gabime ortografike në pjesën e përparme të kutisë.