sht232024
Çrregullimi i ankthit të gjeneralizuar. FDA miraton terapinë digjitale. Ja, veprimi i saj
Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi terapinë e re digjitale për trajtimin e çrregullimit të ankthit të gjeneralizuar, si mbështetje ndaj terapive tradicionale për pacientët në moshat 22-vjeçare e lart. Falë natyrës së saj digjitale, DaylightRX është e disponueshme kudo dhe në çdo moment për pacientët, duke tejkaluar pengesat tradicionale si distanca gjeografike dhe listat e pritjes.
Studimi klinik tregoi efikasitetin e DaylightRX
Miratimi i DaylightRX nga FDA u mbështet nga një studim klinik i randomizuar, në të cilin u përfshinë 256 pacientë me simptoma mesatare ose të rënda të çrregullimit të ankthit të gjeneralizuar (GAD). Në studim u evidentuan përmirësime të konsiderueshme të simptomave të ankthit te pacientët që përdorën DaylightRX, krahasuar me ata që bënin pjesë në grupin e kontrollit. Në javën e gjashtë të trajtimit, pacientët e trajtuar raportuan një reduktim të konsiderueshëm të rezultateve GAD-7 (një matje standard për vlerësimin e simptomave të ankthit), me një ndryshim mesatar prej 3.22 pikësh, krahasuar me grupin e kontrollit. Brenda javës së dhjetë, 71% e pacientëve në grupin e trajtimit shfaqën lehtë të ankthit, krahasuar me 33% në grupin e kontrollit. Këto përmirësime u ruajtën edhe gjatë kontrollit afatgjatë të ecurisë, duke konfirmuar kështu efikasitetin dhe kohëzgjatjen e terapisë.
Përmirëson cilësinë e gjumit dhe shëndetin e përgjithshëm
Ankthi i gjeneralizuar (GAD) prek afro 4% të popullsisë dhe ndikon ndjeshëm në mirëqenie, në cilësinë e jetës dhe në produktivitet. Edhe pse terapia konjitive e sjelljes (CBT) njihet gjerësisht si trajtim efikas i GAD-së, shumë pacientë hasin pengesa në qasje. Përveç reduktimit të ankthit, DaylightRX duket se përmirësonte edhe aspekte të tjera të jetës së pacientëve, si cilësinë e gjumit dhe shëndetin e përgjithshëm. Pjesëmarrësit në studim, shfaqën edhe përmirësime të dukshme në simptomat depresive dhe në shqetësim, duke konfirmuar efikasitetin e terapisë digjitale, jo vetëm në trajtimin e ankthit, por edhe të patologjive të lidhura me të.
Terapi e sigurt dhe e tolerueshme
DaylightRX, nuk rezulton vetëm efikase, por edhe e sigurt. Nga studimi u zbulua se pacientët që e kishin ndjekur këtë terapi shfaqën pak efekte të padëshiruara, me vetëm një pacient që raportoi një efekt anësor për shkak të vështirësisë së nisjes së trajtimit. Në krahasim me grupin e kontrollit, pacientët e trajtuar me DaylightRX referuan më pak episode simptomash të padëshiruara, të tilla si lodhja, përgjumja dhe vështirësia në përqendrim.
Terapi fleksibël dhe e personalizueshme
DaylightRX bazohet në parimet e terapisë konjitive të sjelljes. Aplikacioni, i disponueshëm vetëm me recetë, ofron seanca interaktive që u mësojnë pacientëve teknika të bazuara në evidenca, me qëllim përballimin e shqetësimeve dhe ankthit kronik. Përmes moduleve që trajtojnë teknika si relaksimi i aplikuar, kontrolli i stimujve, ristrukturimi konjitiv dhe terapia e ekspozimit, DaylightRX u krijon pacientëve mundësinë të kenë një qasje më fleksibël ndaj terapisë dhe në bazë të nevojave të tyre të përditshme.