sht222015
UFSH kundër FSDKSH-së: Hartimi i kontratës me farmacitë i njëanshëm
Kontrata me farmacitë - 2016 në proces hartimi nga FSDKSH, ka nxitur reagimin e ashpër të Urdhrit të Farmacistëve, i cili ka përsëritur kërkesën për një takim me përfaqësuesit e këtij institucioni. Qëllimi, sipas UFSH-së, është shqyrtimi i problematikave me të cilat ndeshen subjektet farmaceutike dhe ndryshimet e bëra nga Fondi kontratës F-2015 duke iu referuar dhe skandalit me rimbursimin e barnave në muajin qershor te këtij viti.
Në shtojcën e kontratës të hyrë në fuqi në muajin gusht, u riformuluan disa nene të saj. Kështu u anulua zgjidhja e kontratës që parashikohej "në çdo kohë" me FSDKSH-në dhe në rast të mbarimit të afatit dhe mos aplikimit për një kontratë re, subjekti farmaceutik nuk gëzon të drejtën e lidhjes së saj për një periudhë 1 vjeçare. Ky ndryshim u motivua me faktin se disa subjekte zgjidhnin dhe e rilidhnin kontratën për të humbur gjurmën e kontrolleve në inventarizim. Po ashtu, nëse më parë farmacisë i jepej një periudhë prej 48 orësh që të bënte korrigjimet në recetat e parregullta dhe t'i rikthente ato pranë drejtorisë rajonale, tashmë kjo nuk është më e mundur. Sipas shtojcës, një recetë nuk do të rimbursohet nëse i mungon njëri prej elementeve si: numri i serisë së recetës, emri mbiemri i pacientit, kodi i tij, datëlindja, nr. i regjistrit, nr i konsultës, data e konsultës, kategoria, diagnoza, kodi i saj etj".
Por Urdhri e konsideron të njëanshme kontratën aktuale. Vetë kreu i tij, znj.Diana Toma, nëpërmjet një shkrese dërguar drejtoreshës së komanduar të FSDKSH-së Milva Ekonomi, për dijeni të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, shpreh qëndrimin kritik ndaj Fondit.
UFSH në reagimin e tij akuzon këtë të fundit për penalizim të padrejtë të farmacive për shkak të elementeve të recetës. Sipas znj. Toma farmacisti nuk është përgjegjës dhe nuk e ka për detyrim të kontrollojë elementet e recetës me rimbursim.
UFSH ngre dhe problemin e vonesave të likuidimit të recetave me rimbursim nga ana e Fondit si dhe problemin e monopoleve të disa depove farmaceutike. Një problem i mprehtë sipas UFSH-së është dhe mungesa e alternativave të para në treg, fakt i cili sipas Urdhrit mohohet nga Fondi.
UFSH kërkon të dijë se mbi "ç'bazë ligjore Fondi ka hartuar kushtet dhe mënyrat e lidhjes së kontratës me farmaci të hapura rishtaz apo që kanë përfunduar penalitetin". Po ashtu bën përgjegjës kryesor FSDKSH-në për humbjet financiare të farmacive, pasi sipas tij, Fondi ka qenë ndër institucionet kryesore që ka propozuar uljen e marzhit të tregtimit të barnave si dhe përdorimin e marzhit të diferencuar. Në këtë pikë lind me të drejtë pyetja se përse UFSH nuk doli kundër propozimit të uljes së marzhit të tregtimit të barnave në atë kohë?
Në fund të letrës së saj znj. Toma del në përfundimin se Fondi jo vetëm që është përgjegjës, por edhe po cenon kompetencat e UFSH-së.
"Për ne si përfaqësues të farmacistëve, Ju me anë të kësaj shkrese, në qëllimin tuaj real s'keni mbledhje mendimesh për kontratën F 2016, por thjesht jeni duke kryer një procedure, të cilin do t'a arkivoni e më pas do të na e servirni si argument për të treguar 'frymën e bashkëpunimit', pasi kur i referohesh realitetit ka vite që ky s'ekziston", shkruhet në fund të reagimit të UFSH-së.