nën22015
Arrestimet për rimbursimet, Milva Ekonomi: Ne vijojmë kontrollet në informacionin e dokumentuar që kemi dhe çdo indicie ia kalojmë prokurorisë
Pas arrestimit të 3 punonjësve të Fondit Rajonal të Tiranës, 10 farmacistëve, pronarë e administratorë farmacish si dhe pronarit të depos farmaceutike"Omega Pharma", drejtorja e FSDKSH-së, Milva Ekonomi deklaron se kontrollet e Fondit në lidhje me skandalin e vjedhjes nëpërmjet skemës së rimbursimit nuk kanë përfunduar. Sipas zj.Ekonomi po kontrollohen të gjitha informacionet dhe dokumentacioni që ka Fondi në lidhje me procesin e rimbursimit dhe i gjithë zinxhiri që të çon te farmacitë dhe depot farmaceutike që kanë bërë furnizimin e farmacive.
"Vazhdon kontrolli në bazë të informacionit të dokumentuar që disponon FSDKSH që nga sektori i shërbimit, i cili më pas të çon në sektorin tregtar që janë farmacitë dhe depot farmaceutike. Çdo indicie që rezulton nga këto kontrolle i kalon prokurorisë për të vijuar me hetime të mëtejshme", u shpreh zj. Ekonomi.
Drejtorja e FSDKSH duke folur për Farmacist33.al u shpreh se tre zyrtarët e arrestuar të dyshuar si të implikuar në skemën e mashtrimit nëpërmjet rimbursimit ishin punonjës të Fondit Rajonal të Tiranës.
Tre zyrtarët e arrestuar kanë lejuar rimbursimin e recetave fiktive të paraqitura nga farmacitë. Ndërkohë që farmacitë duhet të deklarojnë përveç hyrjes së medikamenteve që tregtojnë edhe depon farmaceutike nga ku kanë marrë furnizimin. Për medikamentin "Ketosteril" i cili përdoret për pacientët me insuficiencë renale farmacitë kanë deklaruar se ishin furnizuar nga depo "Omega Pharma". Mirëpo të drejtën e importit për këtë medikament e ka një tjetër kompani e cila në periudhën që deklarojnë farmacitë se janë furnizuar nga "Omega Pharma " nuk i ka shitur kësaj të fundit ketosteril. Ky dokumentacion ka nxjerrë zbuluar depon "Omega Pharma".
Të arrestuar
Nadir Causholli pronar i " Omega Pharma"
Fisnik Collaku drejtues teknik i " "Omega Pharma"
Valbona Kraja shefe e finacës "Omega Pharma"
Arjola Pipera financiere "Omega Pharma"
Ela Malaj (drejtuese teknike e farmacisë "Alice"
Mariela Përnoci, Arbi Teqja dhe Arbër Thereska (përkatësisht administrator dhe drejtues teknikë të farmacisë "Express").
Erind Hajdari drejtues teknik i farmacisë "Farmacia nr.6 "
Ornela Plepi administratore dhe drejtuese teknike e farmacisë "Katroshi"
Violeta Bejko, magaziniere pranë Fondit Rajonal Tiranë.
Tasim Toci punonjës i Fondit Rajonal Tiranë
Përgatiti: Alma Demiraj