nën272015
Profesionet e lira në shëndetësi, si rriten kontributet që duhet të paguajnë sipas projektligjit të ri
Paketa fiskale 2016 do të ndryshojë bazën e llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për profesionet e lira, ku bëjnë pjesë stomatologë, mjekë, farmacistë, noterë, avokatë inxhinierë etj. Referuar të dhënave të administratës tatimore janë rreth 5000 profesionistë të lirë në rang vendi të cilët paguajnë kontribute si të vetëpunësuar. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm këta profesionistë do të paguajnë sigurimeve shoqërore duke u mbështetur mbi pagën maksimale (prej 97.030 lekësh), ndërkohë që deri më sot i paguanin në bazë të pagës minimale prej (22000 lekësh).
Në relacionin shoqërues të projektligjit për "Disa shtesa në ligjin nr.10383, 'Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë', të ndryshuar", Ministria e Financave e arsyeton ndryshimin e ligjit me shpjegimin se ka një trajtim të diferencuar mes të vetëpunësuarve dhe të punësuarve. Të parët paguajnë kontribute në bazë të pagës minimale, ndërsa të dytët në bazë të pagës bruto të deklaruar dhe meqë i vetëpunësuari sipas projektligjit gjen hapësira të vetëpunësimit nëpërmjet iniciativës së vet ekonomike duhet të paguajë më shumë kontribute (klikoni këtu për të parë relacionin).
Nëse projektligji kalon, duke filluar nga 2016-a këto profesione nuk do të paguajnë më 5060 lekë për sigurimet shoqërore, por 22.317 lekë në muaj.
Bashkë me sigurimet shëndetësore prej 1.496 lekësh në muaj, vlera totale e kontributeve që duhet të paguajë çdo muaj një profesionist i lirë është 23.813 lekë (pra 22.317 + 1.496).
Në relacion sqarohet se Këshilli i Ministrave do të përcaktojë listën e profesioneve të lira, megjithatë kjo nismë e Ministrisë së Financave ka përhapur shqetësim të madh mes të vetëpunësuarve për shkak të barrës së rëndë financiare që imponon. Të parët që i kanë rënë ziles së alarmit janë stomatologët, pjesa më e madhe e të cilëve i druhen falimentimit të aktivitetit në rast se ligji miratohet. Shoqata Dentare Shqiptare duke marrë parasysh risqet i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë, shkresën me të gjitha argumentet se përse një projektligj i tillë është joefikas, në dëm të shërbimit dhe në dëm të vetë popullatës që e merr këtë shërbim. Ndërkohë nuk ka ende reagime nga farmacistët dhe mjekët e vetëpunësuar.
Përgatiti: Dorina Gjuzi