Shëndetësi

dhj52015

Asambleja e Profesioneve të Lira: Do të përdorim çdo mjet ligjor për rrëzimin e projektligjit për sigurimet shoqërore

Ndryshimet lidhur me kontributet që duhet të paguajnë profesionistët e lirë, të parashikuara në projektligjin "Për Buxhetin e Vitit 2016" ishin epiqendra e mbledhjes së organizuar nga Asambleja e Profesioneve të Lira në ambientet e Hotel Tiranës. Përfaqësues nga Shoqata Dentare Shqiptare, Urdhri i Stomatologut Qarku Tiranë, Urdhri i Mjekëve, Urdhri i Farmacistëve, Urdhri i Infermierëve, Dhomat e Avokatëve dhe Noterëve të Shqipërisë, Shoqata e Arkitekteve dhe Inxhiniereve etj të pranishëm në takim, shprehën në dakordësi kundërshtimin për ndryshimin e ligjit nr.7703, dt. 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë".

Në shkresën e përpiluar gjatë mbledhjes shprehet shqetësimi për veçimin e profesioneve të lira nga çdo kategori tjetër biznesi ku nuk përjashtohet mundësia e përllogaritjes së kontributeve mbi pagën maksimale. "Pa dashur të hyjmë në përllogaritje shifrash detyrimet që parashikohen nga një veprim i tillë, arrijnë në nivelin mbi 5 herë më të larta se niveli aktual i detyrimeve që paguajnë", thuhet ndër të tjera në dokumentin e përbashkët dhe nënvizohet fakti se hartuesit e këtyre ndryshimeve nuk kanë marrë për bazë treguesit referencialë në lidhje me të ardhurat që përfiton një profesionist i lirë.

"Ne nuk jemi kundër ndryshimeve ligjore por e mira është që të thirren grupet e interesit, të konsiderohen argumentet e tyre dhe të bëhen ndryshime ligjore që janë në dobi të profesionistëve, por edhe të qytetarëve. Rritja e çmimeve, ulja e cilësisë së shërbimit dhe falimentimi në masë i këtyre profesioneve janë të pritshme nëse një ligj i tillë kalon", shprehet kreu i Shoqatës Dentare Shqiptare, prof.ass. Dorjan Hysi. Takimi i Asamblesë pason mbledhjen e kryesisë së SHDSH-së ku për herë të parë u formulua zyrtarisht kërkesa për mos kalimin në kuvend të një projektligji të tillë.

Në shkresën e përbashkët dërguar Kuvendit të Shqipërisë, Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Ekonomisë hidhet poshtë argumenti se derdhja e kontributeve mbi bazën e pagës maksimale do të rritë ndjeshëm pensionin e kësaj kategorie: "Na duket jo vetëm i papërshtatshëm për momentin që po kalon shoqëria, por edhe cinik pasi është dëshirë e çdo të vetëpunësuari që të paguajë kontributet për efekt pension pleqërie  në çdo masë që ata e shohin të arsyeshme në raport me të ardhurat që sigurojnë apo standardit që parashikojnë për një gjë të tillë...". Në fund nënvizohet se Asambleja e Profesioneve të Lira do të përdorë të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore për të kërkuar nga hartuesit  e këtij projektligji tërheqjen e ndryshimeve të propozuara.
 
Pergatiti: Dorina Gjuzi


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC