Shëndetësi

dhj112015

Barnat onkologjike kanë çmime deri në 300% më të larta në disa vende të Evropës

Në Evropë, Australi dhe Zelandën e Re çmimi i barnave të reja antitumorale varion nga 28 deri në 388%, sipas një studimi të publikuar në revistën "The Lancet Oncology". Në përgjithësi në Mbretërinë e Bashkuar dhe në shtete mesdhetare si Greqia, Spanja dhe Portugalia paguajnë më pak nga të gjitha vendet për një grup prej 31 produktesh me patentë kundër kancerit. Ndërsa çmimet më të larta i gjen në Suedi, Zvicër dhe Gjermani. Diferencat më të mëdha janë për për gemcitabinën e përdorur në trajtimin e kancerit të gjirit, mushkërive, pankreasit dhe vezoreve: në Zelandën e Re bari kushton 209 euro për ampulë, por vetëm 43 euro në Australi.

Acidi zoledronik i cili parandalon komplikimet e kockave në kancerin e avancuar kushton 330 euro për ampulë në Zelandën e Re, ndërsa në Greqi 128 euro. Një tjetër shembull është interferoni alfa-2b i përdorur në melanomë dhe leucemi: "Në këtë rast gjermanët e paguajnë 223% më shtrenjtë në krahasim me grekët", shpjegon Sabine Vogler nga Qendra e çmimeve dhe rimbursimeve të produkteve farmaceutike në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Vjenë (Austri). Dhe vazhdon: "Për gefitinib që administrohet në kancerin e mushkërive me qeliza jo të vogla, çmimi në Gjermani është 172% më i lartë në krahasim me Zelandën e Re".

Për të arritur në këto shifra Vogler dhe kolegët e saj kanë ekzaminuar të dhënat e shërbimit "Pharma Price Information" (Ppi) të ofruar nga Instituti i Shëndetit Publik Austriak për 16 shtete evropiane duke i krahasuar ato me çmimet australiane dhe neozelandeze të zbuluara në qershor 2013 për 31 barna anti-kancer. "Nga këto asnjë nuk kushtonte më pak se 10 euro", pohon studiuesja, duke saktësuar se katër kishin një çmim mes 250 dhe 500 eurove, dy të tjera kushtonin mes 500 dhe 1000 eurove, shtatë kishin një kosto më të lartë se 1.000 euro dhe një (plerixafor - për transplantin e qelizave staminale hematopietike në linfomën ose mielomën multiple) i tejkalonte të 5.000 eurot për ampulë.

Dhe Wim van Harten nga Instituti Holandez i Kancerit shkruan në një editorial: "Urojmë që përballë këtyre të dhënave, politika të angazhohet në garantimin e një transparence më të madhe të çmimeve, në mënyrë që aksesi në terapitë onkologjike të mos varet nga vendi ku jeton i sëmuri. Sfida është që të kombinohet zhvillimi i barnave të reja dhe qasja e lehtë e pacientëve në to dhe për ta fituar duhet të jenë dakord jo vetëm politikanët, por të gjithë aktorët e shoqërisë civile"./D.GJ.

 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC