dhj182015
Protesta e profesioneve të lira në vesh të shurdhër, miratohet ligji për sigurimet shoqërore
Kuvendi miratoi dje me 83 vota pro, 29 kundër dhe 1 abstenim projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003, "Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar".
Ndryshimet në këtë ligj përcaktojnë se nga 1 janari 2016 paga mbi të cilën do të mbahen kontributet e rreth 5 mijë të vetëpunësuarve si stomatologë, farmacistë, mjekë, avokatë, arkitektë etj., do të vendoset nga qeveria në një kufi mes pagës minimale dhe asaj maksimale. Në përcaktimin e pagës për efekt të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, qeveria do të ketë parasysh llojin e profesionit, numrin e të punësuarve, nivelin e të ardhurave në sektorin publik, eksperiencën në profesion, statusin e profesionistit dhe zonën ku ai e zhvillon aktivitetin.
Deri më sot profesionistët e lirë paguanin kontribute prej 6556 lekësh në muaj të përllogaritur mbi bazën e pagës minimale dhe kur fillimisht u mësua se kontributet do t'i paguanin mbi pagën maksimale, kundërshtimet e ashpra nga secili grup interesi bënë që Këshilli i Ministrave të rishikonte projektligjin duke përcaktuar kategorizimin e pagave në kriteret e sipërpërmendura.
Por as riformulimi i projektligjit nuk i përmbushi pritshmëritë e profesionistëve. Për këtë arsye, Asambleja e Profesioneve të Lira e mbledhur disa ditë më parë, i dërgoi një memo të gjitha institucioneve vendimmarrëse ku parashtronte argumentet për mos ndryshimin e ligjit dhe paralajmëroi se do të përdornin çdo mënyrë për ta kundërshtuar atë.
Në vijim stomatologë, avokatë, noterë dhe profesionistë të tjerë zhvilluan protesta para Kryeministrisë dhe Kuvendit. "Ne do të vijojmë me protesta, kërkojmë që të zgjedhim vetë se cilën pjesë do të paguajmë si fitim dhe cilën pjesë do të shpërndajmë si rrogë sepse ky ligj në mënyrë arbitare vendos që këtë pjesë të fitimit që ne realizojmë, ta cilësojë si rrogë. Kjo nuk është e drejtë sepse këto janë kushte që përcaktohen nga tregu dhe sistemi. Ndërhyrja në sistem është thjesht një deformim dhe do të jetë një hap më tej për falimentimin e bizneseve tona, sepse nuk do t'ia dalim dot t'i paguajmë këto sigurime shoqërore", shprehën qëndrimin e tyre profesionistët gjatë protestës së 16 dhjetorit.
Por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh meqë projektligji u aprovua një ditë më pas. Ndërkohë pritet një reagim i përbashkët nga Urdhrat dhe shoqatat e tyre përfaqësuese për mënyrën se si do të procedohet në vijim.
Përgatiti: Dorina Gjuzi