jan282016
Kontributet për farmacistët do të variojnë sipas vendit dhe vjetërsisë në profesion
Është miratuar tanimë referenca për kontributet që do të derdhin ata që ushtrojnë profesione të lira, ndërmjet tyre mjekë, farmacistë dhe dentistë. Bëhet fjalë për 23 profesione të tilla. Qeveria ka përcaktuar tanimë disa kritere në bazë të të cilave do të bëhen dhe pagesat për kontributet shëndetësore dhe ato shoqërore. Sipas zv/drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore këto kontribute do të bëhen duke respektuar kriteret e përcaktuara në tabelën bashkëngjitur vendimit të qeverisë.
"Kush paguan më shumë përfiton pension më shumë. Megjithatë ka dhe disa kritere që do të përcaktojnë masën e kontributit. P.sh., nuk do të paguajë kontribute njëlloj një farmacist që punon në Tiranë me një farmacist që punon në Peshkopi. Pra një kriter është largësia nga qendra. Po kështu kriter tjetër është vjetërsia në punë, sistemi ku e ushtron profesionin si p.sh. në farmaci, në spital publik apo në sistem privat si dhe të qenit ose jo i vetëpunësuar", shprehet zv/drejtori i ISSH.
Zoti Emini shpjegon se një person i vetëpunësuar që ka një farmaci të tijën dhe mban licencën e drejtuesit teknik do të paguajë kontribute në bazë të vendit ku ushtron aktivitetin e përcaktuar në tabelat e mëposhtme. Ndërsa për dikë që është i punësuar në farmacinë e dikujt tjetër, do të derdhë kontribute në bazë të pagës së deklaruar nga punëdhënësi.
Këtu gjeni tabelat ku përcaktohet sa do të paguajë një farmacist në bazë të kritereve të vendosura.
Përgatiti: Alma Demiraj