pri52016
Lista e barnave të rimbursueshme hyn në fuqi në maj
Ndryshe nga vitet e mëparshme kur lista e barnave të rimbursueshme hynte në fuqi në 1 prill, këtë vit duket se do të jetë gati javën e parë të muajit maj. Burime të Farmacist33.al deklarojnë se kjo listë sapo ka përfunduar së miratuari në Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe është dërguar për të marrë një miratim përfundimtar në Këshillin administrativ pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Burime nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se procedurat e shqyrtimit kërkojnë kohën e tyre. Pasi të shqyrtohen Ministri Shëndetësisë do të caktojë datën e mbledhjes së Këshillit Administrativ për t'i dhënë miratimin përfundimtar listës së barnave të rimbursueshme për vitin 2016.
Menjëherë pasi të marrë miratimin e Këshillit administrativ me firmën e ministrit të Shëndetësisë lista e barnave të rimbursueshme kalon për miratim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Pasi të kalojë dhe këtë fazë, hyn në fuqi sapo të botohet në Fletoren Zyrtare. E gjithë kjo procedurë pritet të marrë fund javën e parë të muajit maj.
Edhe këtë vit burime nga Fondi shpjegojnë se janë shtuar barna te reja në listë duke marrë në konsideratë propozimet e shefave te shërbimeve të cilët bazohen në shtimin e nevojave të pacientëve.
Alma Demiraj