pri192016
Lista e re e barnave të rimbursueshme. Këtë vit përfshihen dhe pajisje mjekësore në listë
Lista e re barnave të rimbursueshme pritet të jetë gati në javën e parë të muajit maj. Por përveç barnave mjekësore, për herë të parë këtë vit do të rimbursohen edhe pajisje mjekësore.
Si fillim, janë protezat ato që janë bërë pjesë e listës së rimbursueshme.
Bëhet fjalë për një fond prej 10 milionë lekësh të reja të cilat janë në dispozicion për të rimbursuar ata persona të cilët do të kenë nevojë për këtë pajisje.
Ndërkohë burime të Farmacist33.al bëjnë me dije se është duke u diskutuar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për përfshirjen në këtë listë të barnave të rimbursueshme edhe fishat dhe penat e diabetit. Por kjo ende nuk është finalizuar.
Në listën e barnave të rimbursueshme 2016 janë futur edhe disa barna të reja të cilat nga FSDKSH nuk bëhen publike pa marrë edhe firmën e ministrit të Shëndetësisë.
Alma Demiraj