pri262016
Skandali i rimbursimeve, Prokuroria: Burg për Pjerin Xhuvanin, Hysni Rocin dhe dy ish-punonjës të Fondit
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me burg të shtatë personave të përfshirë në skandalin e rimbursimit të barnave, të zbuluar në nëntor të vitit të kaluar. Administratorë farmacish, punonjës të FSDKSH dhe farmacistë, të akuzuar për përfshirjen në skemën mashtruese me anë të recetave fiktive, dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme 56 milionë lekë të reja.
Mes personave që prokuroria ka kërkuar dënim me burg është ish-drejtori rajonal i FSDKSH Tiranë, Pjerin Xhuvani, i akuzuar për "shpërdorim detyre" për të cilin janë kërkuar 4.6 vite burg, si dhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike. Për Hysni Roçin, pronar i katër farmacive, mbi të cilin rëndon akuza e "mashtrimit" Prokuroria kërkoi 6 vite burg.
Edhe për Edlira Marën, ish-punonjëse e Fondit, e akuzuar për "shpërdorim detyre" Prokuroria kërkoi dënimin me 5 vite burg dhe pezullimin e ushtrimit të profesionit për 3 vjet. Për Fatbardh Budon, ish-zyrtar i FSDKSH, i akuzuar për "falsifikim dokumentesh" u kërkua 2 vjet burg.
Për Frida Lamçen (ish-zyrtare e Fondit), Mimoza Tufin (drejtuese teknike e farmaci "Lundër") dhe Arens Spahiun (drejtues teknik i farmaci Bërzhitë), të akuzuar për "falsifikim dokumentesh" dhe "mashtrim", Prokuroria kërkoi pezullimin e vuajtjes së dënimit për pjesën e mbetur si dhe vënien e tyre në shërbim prove për 1 vit e gjysmë.