kor302018
Diabeti i tipit 2. Kalimi metforminë-sulfonylure, shton rreziqet për efekte të kundërta
Sipas një studimi të publikuar në "British Medical Journal", kalimi nga një terapi me metforminë, te një tjetër me sulfonylure, shton rrezikun për efekte të kundërta te pacientët me diabet të tipit 2.
"Pacientët që kanë marrë sulfonylure si një terapi të linjës së dytë, kanë treguar një shtim të rrezikut për infarkt të miokardit, vdekshmëri për të gjitha shkaqet dhe hipoglicemi të rëndë, krahasuar me ata që vazhdojnë të ndjekin si monoterapi metforminën, edhe kur kjo ka ndodhur pavarësisht nga kontrolli jo optimal i glicemisë. Lidhjet me infarktin e miokardit dhe me vdekshmërinë kanë qenë më të mëdha, me kalimin nga metformina te një sulfonylure, krahasuar me shtimin e sulfonyluresë, ndërkohë që vazhdohet mjekimi me metforminë", shpjegon Antonios Douros (Univeristeti McGill i Montrealit në Kanada), autor kryesor i studimit.
Studimi ka përfshirë 77.138 pacientë mbi 40 vjeç, të cilët kanë qenë në terapi me metforminë. Nga këta, 25.699 e kanë ndryshuar kurën me shtimin e sulfonyluresë ose me kalimin te kjo e fundit dhe gjatë një ndjekjeje prej mesatarisht 1,1 vjetësh, pikërisht sulfonyluretë (krahasuar me monoterapinë me metforminë), kanë qenë të lidhura me një shtim të rrezikut për infarkt miokardi (norma e përhapjes 7,8, përkundër 6,2 për 1.000 vite/njerëz), vdekshmëri për të gjitha shkaqet (27,3 përkundër 21,5) dhe hipoglicemi të rëndë (5,5 përkundër 0,7). Është vënë re gjithashtu një tendencë shtimi rreziqesh për iktus ishemik (6,7 përkundër 5,5) dhe vdekje kardiovaskulare (9,4 përkundër 8,1).
Krahasuar me shtimin e sulfonyluresë, kalimi në këtë bar, është lidhur me një rrezik të shtuar për infarkt të miokardit (raporti i rrezikut 1,51) dhe vdekshmëri për të gjitha shkaqet (1,23).
Nuk janë vënë re dallime për iktusin ishemik, vdekjen kardiovaskulare apo gliceminë e rëndë. Në një editorial shoqërues, Lucy D'Agostino McGovvan (Shkolla e Shëndetit Publik në Baltimorë) dhe Christianne Roumie (Universiteti Vanderbilt, Nashvill), nënvizojnë se është e vështirë të përcaktohet praktika klinike duke u bazuar në një studim vëzhgues, por bien dakord me autorët përsa u përket implikimeve klinike.
"Është e preferueshme të vazhdohet vetëm me metforminën dhe të pranohen objektiva më të larta të HbA1c-së, krahasuar me kalimin te sulfonyluretë, kur merren parasysh si rezultatet makrovaskulare, ashtu edhe hipoglicemia", thonë editorialistet.
BMJ. 2018. doi: 10.1136/bmj.k2693
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30021781
BMJ. 2018. doi: 10.1136/bmj.k3041
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30021790