kor192023
Remisioni i DM2 mund të arrihet edhe nëpërmjet një diete me bazë bimore
Një trajtim i bazuar në ndjekjen e një stili e jetese që promovon respektimin e një diete me bazë bimore dhe nga ana tjetër ndjekja e kujdesit rutinë mund të ndikojë në arritjen e remisionit të diabetit të tipit 2, sipas një studimi të botuar në revistën "American Journal of Lifestyle Medicine", dhe të nënshkruar nga Gunadhar Panigrahi nga Spitali Sentara Princess Anne në Virxhinia dhe kolegët.
"Modifikimet në mënyrën e jetesës kanë një efekt pozitiv në parandalimin e DM2, pasi ndjekja e një terapie nutricionale mund të përmirësojë kontrollin e glicemisë dhe prognozën e diabetit, kurse dietat me bazë kryesisht bimore të pasura me fruta, perime, bishtajore dhe drithëra kanë efektet e tyre mbrojtëse", shkruajnë autorët, duke nënvizuar se konsumimi i shpeshtë i karbohidrateve të rafinuara, ushqimeve të përpunuara, natriumit dhe mishit të kuq rrit rrezikun për zhvillimin e diabetit. Nga kjo rrjedh se ndjekja e një diete me bazë kryesisht bimore është një objektiv terapeutik premtues për arritjen e remisionit të DM2. Prandaj ky studim kishte si qëllim të verifikonte fizibilitetin e arritjes së remisionit të DM2 nëpërmjet ndjekjes së një diete me bazë kryesisht bimore në një grup individësh me jetë të lirë. Në studim morën pjesë 59 individë me moshë mesatare 71.5 vjeç, me vlera të hemoglobinës së glikuar (HbA1c) >6.5%, të cilët ndoqën një dietë me përmbajtje të ulët yndyre, ushqime të integrale dhe kryesisht perime ndërsa iu nënshtruan edhe kujdesit mjekësor standard.
"Dieta e përshkruar përbëhej nga perime, bishtajore, drithëra, fruta, arra dhe fara, ku 75% e kalorive derivonin nga karbohidratet komplekse, 15% nga proteinat bimore dhe 10% nga yndyrat", shpjegon Panigrahi, duke saktësuar se pacientët u udhëzuan të shmangnin produktet shtazore, ushqimet e përpunuara dhe yndyrat/vajrat e shtuar. Në anën tjetër, pjesëmarrësve iu lejua të konsumonin sasi të vogla të të bardhave të vezëve dhe produkteve të qumështit pa yndyrë. Gratë mund të konsumonin një gotë verë të kuqe disa ditë në javë kurse burrat deri në dy gota, por nëse qëllimi i tyre kryesor ishte rënia në peshë, konsumimi i alkoolit dekurajohej.
Në fund të ndjekjes 6-mujore në periudhën 2007-2021, të dhënat e mbledhura flasin vetë: 22 nga 59 pacientë (37%) arritën remision, me një ulje të ndjeshme të indeksit të masës trupore (IMT). HbA1c dhe niveleve të glicemisë gjatë agjërimit. Nuk u shfaqën dallime të rëndësishme në lidhje me presionin sistolik, atë diastolik, HDL, LDL ose trigliceridet.
"Këto rezultate hapin rrugën për kërkime të ardhshme për zbatimin e parimeve të mjekësisë, mënyrës së jetesës dhe ndërhyrjeve dietike për të arritur remisionin e diabetit në praktikën e përditshme mjekësore", përfundojnë autorët.
American Journal of Lifestyle Medicine 2023. Doi: 10.1177/15598276231181574
https://doi.org/10.1177/15598276231181574