Shëndetësi

mar152019

Astma dhe alergjitë e rënda ushqimore. Bari që redukton riskun e shokut anafilaktik

Sipas një studimi të botuar në "Journal of Allergy and Immunology Clinical", në praktikë, bari për astmën, omalizumab, ka qenë në gjendje të reduktojë ndjeshëm rrezikun e shokut anafilaktik te fëmijët me alergji të rënda ushqimore.

"Studimi na dha mundësi të kuptojmë se me omalizumabin, alergjia ushqimore nuk është e rrezikshme dhe se doza ushqimesh shumë të rrezikshme, tashmë mund të tolerohen, duke eliminuar pothuajse tërësisht rrezikun e shokut anafilaktik", shpjegon Alessandro Fiocchi (Spitali Pediatrik "Bambino Gesù", Romë), i cili ka drejtuar studimin. Studiuesit kanë vlerësuar një grup prej 15 fëmijësh dhe adoleshentësh të moshave 6-18 vjeç, që vuajnë nga astma alergjike e rëndë dhe alergji ushqimore me reagim të menjëhershëm ndaj dy ose më shumë ushqimeve. Gjatë një periudhe prej rreth tre vjetësh, janë vërejtur reaksionet ndaj 23 alergjenëve të ndryshëm ushqimorë (duke përfshirë qumështin, vezët, grurin, lajthitë), para dhe pas fillimit të trajtimit me omalizumab, një bar që vepron direkt kundër imunoglobulinave E (IgE), duke shmangur krizat e astmës. Pjesëmarrësit e rinj në studim kishin paraqitur reaksione të menjëhershme alergjike ndaj 37 ushqimeve dhe 80% e tyre kishin patur episod anafilaksie.

Analiza e të dhënave tregoi një rritje në tolerancën ndaj alergjenëve, nga një prag mesatar fillestare prej 460 mg proteina në 8.192 mg, gjë që reduktoi ndjeshëm rrezikun e shokut anafilaktik në rast të kontaktit të pavullnetshëm me ushqimet në rrezik. Gjatë vëzhgimit, numri i reagimeve në rast të gëlltitjes aksidentale të alergjenëve në fakt ka rënë në mënyrë drastike, nga 47, në vetëm dy episode.
Kështu, është bërë e mundur rifutja në dietën e fëmijëve e 15 prej 23 ushqimeve të përdorura për testin në mënyrë të sigurt, pa imunoterapi orale, ndërkohë që ushqimet e tjera ishin pothuajse plotësisht të toleruara. Cilësia e jetës së të rinjve është përmirësuar me një mesatare prej 40%.

"Me administrimin e barit, fëmija fiton një gjendje tolerance që e lejon atë të marrë frymë, të hajë dhe të vihet në kontakt me alergjenët, madje edhe ato më të rrezikshmit për të, pa asnjë dëmtim. Rezultatet e hulumtimit tonë tani hapin rrugë për studimet e ardhshme mbi mundësinë e përdorimit të trajtimit edhe për rastet e zgjedhura të pacientëve me alergji ushqimore", përfundon Fiocchi.


J Allergy Clin Immunol Pract. 2019. doi: 10.1016/j.jaip.2019.01.023
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30797778


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC