kor92019
Vitamina D është e rëndësishme jo vetëm për zhvillimin kockor
Përveçse favorizon zhvillimin kockor, vitamina D luan rol edhe në parandalimin e sëmundjeve autoimune, infeksioneve respiratore të përsëritura dhe alergjive. Kjo del nga studimet më të fundit shkencore, të cilat u diskutuan në Kongresin Kombëtar të Shoqatës Italiane të Alergologjisë dhe Imunologjisë Pediatrike (SIAIP).
"Në moshën pediatrike, vitamina D nevojitet për rritjen dhe mirëqenien e kockave, por ka gjithashtu efekt bazë në modulimin e funksioneve të sistemit imunitar", thotë Diego Peroni, i Universitetit të Pizës, duke shpjeguar se si kjo vitaminë mund të ndërveprojë me qeliza të ndryshme të sistemit imunitar dhe të rregullojë kështu reagimin ndaj agjentëve infektivë.
Vetëm 10% e vitaminës D merret me ushqim, ndërsa 90% arrihet nëpërmjet sintezës, pas ekspozimit në diell. "Studimet vëzhguese kanë dokumentuar në segmente të mëdha të popullsisë pediatrike në botë një mungesë të gjerë të vitaminës D, që varet nga gjerësia gjeografike në të cilën jetohet, nga ngjyra e lëkurës, kushtet patologjike, por edhe mënyra e jetesës", shpjegon Michele Miraglia del Giudice, zëvendës president i SIAIP-it.
Një shtesë e vitaminës D në formë suplementi, rekomandohet për të gjithë fëmijët në vitin e parë të jetës dhe deri në 18 vjeç, tek ata që janë në rrezik, siç është rasti i etnisë jo kaukaziane dhe me pigmentim të lartë, ekspozimit të pakët në diell, insuficiencës renale ose hepatitit kronik, obezitetit, sëmundjeve inflamatore kronike ose celiakisë. Gjatë kongresit u diskutuan pasojat e mungesës së vitaminës D, gjendje që në Itali prek 1 në 2 fëmijë.
Studimet kanë nxjerrë në pah rëndësinë e vitaminës që gjatë shtatzënisë për parandalimin e sëmundjeve alergjike. Për më tepër, një rritje e rrezikut të infeksioneve të frymëmarrjes dhe bronkioliti është i pranishëm te të sapolindurit me nivele të ulëta të vitaminës D në gjakun e kordonit. Ndërsa plotësimi i kësaj vitamine përmirëson kontrollin e astmës dhe zvogëlon frekuencën e përkeqësimeve të reja, mungesa e saj është shoqëruar me një numër më të madh shtrimesh në spital për shkak të bronkospazmës dhe nevojës më të madhe për terapi kortikosteroide orale.
Së fundi, siç rekomandohet nga SIAIP-i, te fëmijët e rrezikuar nga astma, alergjia dhe infeksionet respiratore të përsëritura, shtimi i vitaminës D duhet të vlerësohet rast pas rasti.
Deklaratë për shtyp