Shëndetësi

mar172020

Covid 19 dhe barnat antireumatike. Kolegji italian pozicionohet mbi përdorimin e tocilizumabit

Kolegji Italian i Reumatologjisë (CReI) ka hartuar dokumentin e tij pozicionues mbi përdorimin e barnave antireumatike, siç është tocilizumabi, për trajtimin e Covid-19. Është e rëndësishme që medikamenti të jetë në dispozicion për format më kritike të inflamacionit pulmonar.

"OBSH-ja ka folur kohët e fundit për një pandemi nga Covid-19. Për momentin, ende nuk ka ndonjë terapi specifike, por trajtohen simptomat e sëmundjes, domethënë, zbatohet terapia mbështetëse", shpjegon Angelo De Cata, president i CReI. "CReI ka vendosur të publikojë këtë dokument për të shprehur qëndrimin e tij mbi përdorimin e disa barnave antireumatike dhe para së gjithash, për përdorimin e tocilizumabit në format e rënda të përfshirjes pulmonare".

Tocilizumabi është një antitrup monoklonal që bllokon receptorin interleukinë 6 (Il6) duke reduktuar aktivitetin e kësaj citokine, një ndër kryesoret e përfshira në epideminë Covid 19. Ai indikohet gjithashtu në faqen e internetit të EMA-s për trajtimin e artritit reumatoid, sindromën e lëshimit të citokinës pas trajtimit me qelizat Car-T, artritin idiopatik juvenil sistematik dhe poliartikular dhe artritin e qelizave të mëdha. Ai mund të përdoret "off-label" në pneumoninë nga Covid-19, gjë që është jashtë indikacioneve zyrtare dhe vihet në dispozicion falas nga ndërmarrja prodhuese për spitalet që do të bëjnë kërkesë.

"Për një infeksion, siç është ai nga Sars-Cov-2, i cili nuk ka trajtim specifik dhe që shkakton një numër të lartë vdekjesh, thonë reumatologët e CReI-t, mendojmë se është shumë e rëndësishme të keni në dispozicion një bar si tocilizumabi, i cili është potencialisht i aftë, në një përqindje të lartë të rasteve, për të kapërcyer fazën kritike të inflamacionit pulmonar intersticial-alveolar, në format e tij të rënda (Ards ose para-Ards)".

"Bari u përdor në Kinë te 21 pacientë me infeksion të rëndë Sars-Cov-2 dhe u vu re një përmirësim i gjendjes te 20 pacientë, 24-48 orë pas trajtimit. Kohët e fundit, edhe në Itali janë trajtuar pacientët e parë dhe është shënuar një përmirësim i shpejtë i kushteve klinike në shumë prej tyre. Pas dy rasteve të para të trajtuara me sukses në Napoli, iu nënshtruan terapisë me tocilizumab pacientë të tjerë në zona të ndryshme të Italisë. Duhet theksuar se medikamenti nuk ka veprim antiviral, por redukton reagimin inflamator pas infeksionit viral, duke modifikuar veprimin e njërës prej citokinave më pro-inflamatore të lëshuara gjatë infeksionit, saktësisht IL6", nënvizojnë reumatologët e CReI-t.

Udhëzimet diagnostikuese dhe terapeutike për infeksionin e ri të coronavirusit u botuan në Kinë më 3 Mars, 2020, kur Komisioni Kombëtar Shëndetësor i vendit (NHC) e përcaktoi tocilizumabin si një terapi efektive mbështetëse që mund të përdoret te pacientët me infeksione nga coronavirusi i ri dhe përfshirje të rëndë pulmonare intersticiale, me nivele të larta të IL6.
Ndërkohë, AIFA po përgatit një studim kombëtar shumëqendror që mund të vlerësojë përdorimin e barit te këta pacientë, si dhe të vendosë dozën/at terapeutike që aktualisht janë sjellë nga përvoja kineze.
"Aktualisht po zhvillohet edhe një vaksinë specifike, e cila nuk mund të përfundojë para verës së vitit 2020 dhe të dalë në treg disa muaj pasi të jenë kryer procedurat e nevojshme në verifikim", saktëson CReI në deklaratën zyrtare.
Së fundi, në lidhje me përdorimin e mundshëm të fosfatit të klorokinës apo të hidroksiklorokinës në format e buta nga Covid-19, CReI përcakton pozicionin e tij, duke "e konsideruar mekanizmin e veprimit interesant, potencialisht të dobishëm në menaxhimin e inflamacionit intersticial pulmonar që ndjek Covid-19, si te baricitinibi, ashtu edhe te nintedanibi, përdorimi i të cilëve në praktikën klinike, do të vlerësohet në studime të ardhshme klinike".


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC