tet272020
Barnat antidepresive dhe stresi nga Covid-19. Për përdorimin korrekt, është thelbësore aleanca mes mjekëve dhe farmacistëve
Depresioni, ankthi, pagjumësia dhe stresi nga karantina Covid-19, janë simptomat dhe shenjat psikologjike që po lënë gjurmë në shëndetin mendor, me një shtim të diagnozave të stresit post-traumatik, deri në atë pikë sa një studim i fundit i ka vënë një emër ankthit të lidhur me pandeminë aktuale: koronafobia. Ky është një skenar patologjik emergjent në të cilin farmacisti, profesionisti shëndetësor, i cili e takon pacientin së pari dhe më shpesh, mund të luajë një rol themelor në njohjen e shenjave të para të patologjisë dhe në mbështetjen e aderimit në terapinë me barna antidepresive, shpesh e keqtoleruar dhe e pezulluar. Prandaj, aleanca midis farmacistit, mjekut përshkrues dhe pacientit është thelbësore.
Këto janë temat që dolën gjatë uebinarit të titulluar "Antidepresantët në kohën e Covid-19: qasja e farmacistit" në projektin FarmaMentalCare të organizuar nga Edra.
Luca Pani, profesor i Farmakologjisë dhe Farmakologjisë klinike në Universitetin e Modenës e Rexho Emilias, ka thënë: "Stresi nga Covid-19 është një çrregullim i vërtetë, sepse truri i njeriut, i cili është në gjendje të tolerojë gjendje të larta të stresit akut, e ka shumë më të vështirë të riorganizohet në rast të stresit kronik dhe rrjedhjes emocionale, siç ndodhi gjatë karantinës". Kjo situatë përbën një sfidë të re për farmacistin, për t'u bërë një pikë referimi në identifikimin e shenjave të para të çrregullimit depresiv dhe aderimin më tej në terapi. Farmacistët janë profesionistët e shëndetit që kanë më shumë kontakt me qytetarët: mesatarisht 4 milionë njerëz u drejtohen atyre çdo ditë, gjë që i bën ata gjithnjë e më protagonistë të dinamikës sociale dhe shëndetësore për t'i sjellë në qendër të strategjive moderne të parandalimit dhe menaxhimit të pacientit.
"Stigma e çrregullimeve mendore reflektohet në respektimin e terapisë me barna psikotrope, madje edhe për format psikotike. Duhet të punojmë në përmirësimin e aderimit, sepse kontrolli i depresionit sjell një rritje të përgjithshme të mirëqenies. Një pacient që e trajton depresionin e tij në mënyrë korrekte, u përmbahet më shumë edhe terapive të tjera kronike dhe iu nënshtrohet kontrolleve korrekte mjekësore për patologji të tjera somatike", përfundoi Pani.
Aderimi më i madh arrihet përmes bashkëpunimit midis farmacistit, mjekut përshkrues dhe pacientit. Simptomat e para të depresionit shpesh ndodhin jo vetëm me një ndryshim të humorit, por me një sërë shenjash që përfshijnë: shtim ose rënie në peshë, çrregullime të gjumit, humbje të energjisë, mungesë përqendrimi. Në këtë fazë të parë, farmacisti mund të ndihmojë për të drejtuar pacientin te mjeku i përgjithshëm dhe specialisti. Fatkeqësisht, "50% e atyre që kanë një diagnozë dhe një terapi, e braktisin atë", shpjegoi Maria Salvina Signorelli, studiuese e Psikiatrisë në Departamentin e Mjekësisë Klinike dhe Eksperimentale, Universiteti i Katanias. "Kështu, farmacisti mund të luajë një rol aktiv si në identifikimin e atyre që nuk kërkojnë ndihmë (që vlerësohet të jenë rreth 60% e atyre me probleme depresive), ashtu edhe në kontributin në aleancën farmakoterapeutike".
Mbetet një problem themelor në lidhje me molekulat të cilat, megjithëse janë efektive në gjendjet akute dhe në terapinë mbajtëse, tolerohen dobët në fazat fillestare të trajtimit. Ndër faktorët që ndikojnë negativisht në respektimin e përdorimit të antidepresantëve, përveç vendosjes së terapive jo të personalizuara që janë përgjegjësi e mjekut, ekziston një aleancë e dobët terapeutike dhe edukim i dobët mbi barnat. Edhe këta të fundit janë faktorë te të cilët mund të ndikojë farmacisti.
"Aderimi i hershëm është vendimtar për suksesin e terapisë. Vlerësohet se 30% deri 60% e pacientëve braktisin barnat kundër depresionit ose i marrin ato në mënyrë të parregullt brenda 3 muajve", shpjegoi Signorelli. "Edhe sepse ato janë barna të toleruara dobët në fillim të trajtimit: pjesërisht për shkak të mekanizmave të veprimit të vetë barit, pjesërisht sepse ata janë viktima të një lloj efekti 'nocebo', për shkak të besimeve negative në lidhje me këtë klasë të barnave. Pasojat e mosrespektimit të këtyre barnave përfshijnë: recidivat, depresionin kronik, përsëritjen e simptomave, rritjen e nivelit të vetëvrasjeve. Për të mos përmendur ndikimin e rëndësishëm në kostot dhe përdorimin e shërbimeve shëndetësore", ka përfunduar Signorelli.
Ndër ndërhyrjet e mundshme për të përmirësuar aderimin, ka një impakt pozitiv, përveç sistemeve të kontrollit për marrjen e tabletave, psikoedukimit nga figura të ndryshme profesionale si mjekë të përgjithshëm, psikiatër, por edhe infermierë dhe farmacistë, me mbështetjen e mjeteve të ndryshme, nga materiali audioviziv te sistemet e mesazheve te aplikacionet më të reja për smartphone.
Chiara Romeo