nën22020
Pagjumësia. Nokturia prek edhe të rinjtë. Shkaqet dhe trajtimi
Nokturia, nikturia ose poliuria nokturnale, konsiston në nevojën për të urinuar një ose më shumë herë gjatë natës dhe prek 20% të burrave të rinj dhe 90% të burrave mbi 80 vjeç, por është një nga çrregullimet më pak të referuara te mjeku kurues. Në fakt, një sondazh amerikan zbuloi se 66% e atyre që vuajnë prej saj, nuk kanë folur kurrë me mjekun.
Nokturia shpesh i atribuohet popullatës së moshuar, si një efekt anësor i moshës, por: "Në realitet, çrregullimi është bashkëshoqërues i shumë situatave të tjera klinike si apnea e gjumit dhe presioni i lartë i gjakut", shpjegon Salvatore Sansalone, specialist në Urologji në Universitetin e Tor Vergatës në Romë. "Çrregullimet veprojnë si një gjarpër që kafshon bishtin e vet dhe bëjnë që pacienti të bjerë në një spirale parehatie dhe lodhjeje. Kjo, edhe sepse zgjimet ndodhin në pjesën e parë të natës, kur gjumi me valë të ngadalta do të ishte më restauruesi, duke ndërhyrë në cilësinë e jetës gjatë ditës".
Shkaqet e nokturisë përfshijnë apnenë e gjumit, e cila ndryshon prodhimin e hormonit anti-diuretik që sekretohet gjatë natës. Një hulumtim mbi meshkujt indianë ka theksuar se pacientët me apne obstruktive (OSA) kanë hipertension (86% e tyre), diabet (59%) dhe nokturi e çrregullime të tjera të gjumit në 80% të rasteve. Hiperplazia e prostatës mund të jetë gjithashtu një shkak, një fenomen përgjithësisht beninj që prek 50% të burrave të moshës së mesme dhe 90% të atyre mbi 80 vjeç. Por, nokturia mund të ndodhë gjithashtu për shkak të presionit të lartë të gjakut. Një studim i fundit ka zbuluar se hipertensioni i patrajtuar është një përcaktues i shkuarjes së shpeshtë të burrave në tualet gjatë natës, që në moshën 35-49 vjeç dhe të dyja çrregullimet ndikojnë reciprokisht edhe në subjektet në terapi, si për ngritjen e presionit të gjakut gjatë natës, ashtu edhe si efekt anësor i barnave (diuretikëve, për shembull).
"Përqasjet e trajtimit dhe të lehtësimit të atyre që vuajnë janë të ndryshme dhe variojnë nga ajo e sjelljes që vepron mbi zakonet dhe mënyrat e jetesës, tek ajo mjekësore dhe kirurgjikale", vazhdon Sansalone. "Duhen hedhur hapa gradualë dhe duhet mbajtur një qëndrim sa më konservator. Duhet bërë zakon të merren sa më pak lëngje në mbrëmje, të shmanget kafeina, alkooli dhe pirja e duhanit, si dhe të shtohet aktiviteti fizik. Këto, së bashku me trajtimin mjekësor, mund të përmirësojnë ndjeshëm simptomat, gjumin, pushimin, cilësinë e jetës dhe, së fundmi, por jo më pak, humorin. Midis ndërhyrjeve nutricionale, nuk këshillohen ushqime shumë të pasura me kripë dhe rekomandohet të kufizohet mishi i kuq dhe sidomos karbohidratet në vaktin e mbrëmjes, ndërkohë që duhen favorizuar yndyrnat poli-të pangopura dhe bimore".
Trajtimi mjekësor përshkruhet kur nuk është e mundur të ndërhyhet në stilin e jetës dhe përfshin administrimin e 5-alfa-reduktazës e cila funksionon duke zvogëluar një enzimë që ndërhyn në transformimin e testosteronit. Sidoqoftë, bari, në 10% të rasteve, shkakton efekte anësore, siç është disfunksioni erektil.