kor22021
EMA: me dy doza të vaksinave të miratuara në BE, ofrohet mbrojtje nga varianti Delta
Me dy doza të katër vaksinave të miratuara në Evropë, arrihet mbrojtja ndaj variantit Delta të Sars-Cov2. Gjatë një konference për shtyp, Marco Cavaleri ka thënë se këtë e vërtetojnë të dhënat "siguruese" në dispozicion të Agjencisë Evropiane të Barnave.
"Të dhënat tona tregojnë se dy doza të të katër vaksinave të aprovuara mbrojnë nga varianti Delta dhe këto të dhëna janë siguruese. Është e rëndësishme të vazhdohet vaksinimi, duke treguar vëmendje të veçantë për njerëzit më të brishtë e të moshuarit dhe për t'u siguruar që ata ta përfundojnë ciklin e vaksinimit sa më shpejt të jetë e mundur, për t'u mbrojtur nga përhapja e mëtejshme e variantit Delta", tha Cavaleri. "Përshpejtimi i vaksinimit dhe ruajtja e masave të sigurisë janë ende mjete thelbësore për të luftuar Covid-in. EMA u ka kërkuar të gjithë zhvilluesve të vaksinave që të hetojnë mbrojtjen e ofruar prej tyre kundër varianteve të reja të viruseve".
Edhe në të ashtuquajturin vaksinim heterolog "të dhënat paraprake të studimeve në Spanjë dhe Gjermani tregojnë një përgjigje të mirë imunitare dhe asnjë problem sigurie. Strategjia e vaksinimit heterolog ka provuar në mënyrë historike se ka qenë e suksesshme, është përdorur për vaksinat e tjera dhe ka një arsyetim të fortë shkencor", tha ai, por shtoi: "Aktualisht, EMA nuk është në gjendje të ofrojë një rekomandim përfundimtar mbi përdorimin e vaksinave anti-Covid për të dyja dozat".