mar12022
Migrena dhe faktorët gjenetikë të rrezikut. Të rejat e një studimi
Shumë gjene në ADN janë të lidhura me rrezikun e migrenës. Një studim sqaron bazën biologjike të migrenës dhe të nënllojeve të saj...
Një grup ndërkombëtar shkencëtarësh ka identifikuar më shumë se 120 zona të gjenomit që janë të lidhura me rrezikun e migrenës. Studimi novator i ndihmon studiuesit të kuptojnë më mirë bazën biologjike të migrenës, nëntipat e saj dhe mund të përshpejtojë kërkimet mbi një trajtim të ri. Studimi përfshiu grupe udhëheqëse të kërkimit mbi migrenën në Evropë, Australi dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat punuan së bashku për të bashkuar të dhënat gjenetike të më shumë se 873,000 pjesëmarrësve në studim, 102,000 prej të cilëve vuanin nga migrena.
Kjo është metaanaliza më e madhe mbi gjenomin e migrenës
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se faktorët gjenetikë ndikojnë ndjeshëm në rrezikun për migrenë. Megjithatë, është debatuar prej kohësh nëse dy llojet kryesore të migrenës: me dhe pa aura, ndajnë një sfond të ngjashëm gjenetik. Për të mësuar më shumë rreth gjeneve specifike të rrezikut, kërkuesit nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gjenetikës së Dhimbjes së Kokës mblodhën një grup të madh të dhënash gjenetike për të kryer një studim të plotë mbi të gjithë gjenomin (GWAS), duke kërkuar variantet gjenetike më të zakonshme tek ata që kishin migrenë në përgjithësi, ose një nga dyja llojet kryesore të migrenës. Rezultatet treguan se nëntipat e migrenës kanë faktorë rreziku të përbashkët dhe faktorë rreziku që duken specifikë për një nëntip. Analizat zbuluan tre variante rreziku të migrenës me aura (në HMOX2, CACNA1A dhe MPPED2) dhe dy të migrenës pa aura (afër SPINK2 dhe afër FECH). Një tjetër zbulim veçanërisht interesant ishte identifikimi i zonave të rrezikut që përmbajnë gjene që kodojnë shënjestrat e terapive specifike të migrenës, të zhvilluara së fundmi.
Potenciali i terapive të reja kundër migrenës
Një nga zonat e sapoidentifikuara përmban gjene që kodojnë për peptidin e lidhur me gjenin e kalcitoninës (CGRP), një molekulë e përfshirë në sulmet e migrenës dhe e bllokuar nga medikamenti inhibitor i CGPR-së erenumab, i prezantuar së fundmi. Një zonë tjetër rreziku mbulon gjenin HTR1F që kodon receptorin e serotoninës 1F, edhe ky një objektiv i barnave të reja almotriptan dhe eletriptan, specifike për migrenën. Dr. Matti Pirinen, udhëheqës i grupit të Institutit për Mjekësinë Molekulare në Finlandë, Universiteti i Helsinkit, i cili udhëhoqi studimin, komentoi: "Këto dy lidhje të reja afër gjeneve që tashmë janë në shënjestër të barnave efektive për migrenën sugjerojnë se mund të ketë barna të tjera potenciale për zonat e reja gjenomike dhe ofrojnë arsyetim të qartë për studimet gjenetike të ardhshme, me përmasa edhe më të mëdha të mostrave.
Dr. Paolo Levantino
Farmacist klinik dhe gazetar shkencor
Burimi:
Nature Genetics. doi.org/10.1038/s41588-021-00990-0.