kor92020
Ndahet nga jeta "mjeshtri" i analizave të ADN-së. Drejtoi Qendrën e Diagnostikës Molekulare dhe Kërkimeve Gjenetike
Sot, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka njoftuar ndarjen nga jeta në mënyrë të papritur të profesor Grigor Zoraqit, bashkëpunëtor dhe anëtar i "Njësisë së Bioteknologjisë dhe Gjenetikës" pranë Akademisë së Shkencave, "mjeshtri" i analizave të ADN-së.
NJOFTIMI I AKADEMISË SË SHKENCAVE
Grigor Zoraqi ka lindur dhe është rritur në Tiranë në një familje me tradita dhe vlera të veçanta kulturore. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Petro Nini Luarasi", duke u dalluar si një nga nxënësit më të shkëlqyer që ka patur historikisht kjo shkollë. Studimet universitare i kreu në Universitetin "La Sapienza" në Romë, Itali, në vitet 1979-1985, ku u dallua për rezultatet e larta në përgatitjen e tij shkencore.
Pas kthimit në Shqipëri, punoi si pedagog i Gjenetikës pranë Fakultetit të Veterinarisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, ku mbrojti me sukses në vitin 1991, titullin "Kandidat i Shkencave", njohur më vonë Doktor i Shkencave. Në fillim të viteve '90, largohet përsëri në Itali ku punon si kërkues shkencor në disa institucione të rëndësishme shkencore, si: Departamenti i Mjekësisë Eksperimentale dhe Patologjisë së Përgjithshme të Universitetit "La Sapienza" të Romës, Instituti i Teknologjise Biomjekësore, në disa laboratorë të Qendrës Kombëtare të Sëmundjeve Gjenetike në Itali etj., duke fituar një përvojë të çmuar në kërkimin shkencor.
Me kthimin në Shqipëri, duke filluar nga viti 2004, Grigori punon si drejtues i Qendrës së Diagnostikës Molekulare dhe Kërkimeve Gjenetike pranë spitalit "Mbretëresha Geraldinë". Ndërkohë, Grigori ka dhënë një kontribut të shquar edhe si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.
Me formimin e tij shkencor, ai është ndër gjenetistët me kontribut të veçantë në Shqipëri, si autor i një numri të madh artikujsh dhe punimesh shkencore të botuara në revistat më të mira shkencore, pjesëmarrës i përhershëm në shumë kongrese dhe konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2007, Grigori bëhet anëtar i bordit botues të revistës shkencore "Balcan Journal of Medical Genetics".
Hartues i shumë projekteve kërkimore me vlerë Kombëtare për parandalimin e disa sëmundjeve të trashëgueshme në vendin tonë, disa prej të cilave ende në përpunim e sipër. Me përvojën e fituar, me cilësinë e punës së tij kërkimore dhe saktësinë e rezultateve të tij, pa dyshim, Grigori quhej "mjeshtri" i analizave të ADN-së në nivelin molekular.
Këtë e kanë provuar nga afër të gjithë studentët që kanë përgatitur punimet e tyre në nivelin "Master" si dhe ata të cilët Grigori i ka udhëhequr për fitimin e gradës shkencore "Doktor i Shkencave". Veprimtaria e tij intensive shkencore e ndërprerë papritur, do të mbetet gjithnjë një shembull për të gjithë.
Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe jo vetëm për njerëzit e dashur të familjes, por për Akademinë e Shkencave dhe të gjithë bashkëpunëtorët e shkencën shqiptare.
Qoftë i paharruar kujtimi i tij!