mar292022
Post-Covid apo alergji?! Prof. Mehmet Hoxha: E vështirë të diagnostikohet. Duhen një sërë ekzaminimesh
Polenet e luleve në këtë periudhë, por edhe pasojat post-Covid, si kollë apo vështirësi në frymëmarrje, kanë shtuar numrin e pacientëve të cilët janë konfuzë dhe iu drejtohen mjekëve alergologë. Prof. Mehmet Hoxha thotë se në klinikat e alergologjisë vijnë shumë pacientë që shpesh dyshojnë se janë alergjikë, por në fakt vuajnë nga pasoja post-Covid.
"Kjo situatë, kur në fakt jemi në stinën e alergjive, por nga ana tjetër kemi shumë pacientë post-Covid, e ka vështirësuar disi punën, pasi diagnoza duhet përcaktuar saktë në mënyrë që pacientët të mjekohen siç duhet", shprehet prof. Hoxha.
Mjeku alergolog Mehmet Hoxha thekson se duhen bërë disa ekzaminime për të ndarë alergjinë nga pasojat post-Covid.
"Sigurisht, kur pacienti vjen dhe thotë që ka shumë teshtima, ekzaminimi i parë janë provat e alergjisë, por duhet bërë edhe prova e frymëmarrjes, një skaner në mushkëri në mënyrë që të përjashtohen edhe gjurmët që mund të këtë lënë virusi i Covidit", theksoi mjeku alergolog.
Sipas mjekut Hoxha, ka pacientë që edhe pse e kanë kaluar sëmundjen në formë të rëndë, i kanë rikuperuar pasojat që u ka lënë virusi në mushkëri, pas 6 muajsh.
Pacientët alergjikë, fatmirësisht, janë prekur më pak nga virusi i Covidit për shkak të receptorëve mbrojtës që kishin krijuar nga trajtimi mjekësor ndër vite.
Alma Demiraj