maj32022
Hepatiti misterioz te fëmijët. Prof. Arjan Harxhi: 10 % e rasteve kanë nevojë për transplant të mëlçisë
Hepatiti misterioz që shfaqet te fëmijët 1 deri në 16 vjeç, ka alarmuar mjekët infeksionistë dhe ata pediatër në të gjithë botën. Në Kongresin Europian të Sëmundjeve Infektive, që u zhvillua në Lisbonë, është mbajtur një seancë emergjente në lidhje me këtë sëmundje, ku i pranishëm ishte mjeku infeksionist, prof. Arjan Harxhi, i cili shpjegon se fëmijët rrezikojnë deri transplant të mëlçisë.
"Deri më tani janë raportuar 169 raste në Europë, Britani, Amerikë dhe Izrael. Nuk është se ka shumë të dhëna, por fatkeqësisht, format e rënda kërkojnë transplant të mëlçisë sepse kjo sëmundje, në format e saj të rënda, shkatërron mëlçinë e fëmijës. Fatkeqësisht, deri më tani, 10% e rasteve kanë pasur nevojë për transplant, ndërkohë që ka pasur edhe një humbje jete", shprehet prof. Harxhi.
Mungesa e oreksit, përgjumja dhe të vjellat janë simptomat e para që duhet të shqetësojnë prindin, për t'u lidhur menjëherë me mjekun pediatër.
"Është një formë hepatiti dhe simptomat janë si të verdhëzës, pra, që nisin me probleme gastroenteriti, dhimbje barku, të vjella, mungesë oreksi, këputje, përgjumje, zverdhje të lëkurës, zverdhje të së bardhës së syrit", shprehet prof. Harxhi.
"Ende nuk ka të dhëna se si përhapet hepatiti akut, ndërkohë që edhe për shkaktarin, ka vetëm hipoteza", shpjegon prof. Harxhi.
"Dimë të themi se është një lloj adenovirusi që haset shpesh te fëmijët, ndaj prindërit duhet të jenë sa më të vëmendshëm dhe të informuar. Nuk ka lidhje me asnjë toksinë, medikament apo me vaksinat, pasi fëmijët te të cilët është hasur, nuk kanë qenë të vaksinuar", thekson prof. Harxhi.
Janë gjithsej 169 fëmijë të prekur në Angli, Amerikë, Izrael dhe Danimarkë, Irlandë dhe së fundmi, 2 raste edhe në Italinë fqinje. Mjekët këshillojnë që prindërit të bëjnë kujdes me higjienën e fëmijëve.
Alma Demiraj