Shëndetësi

qer152022

Mënyra e jetesës dhe metformina reduktojnë incidencën e diabetit, por jo komplikacionet kardiovaskulare

Te të rriturit me paradiabet, ndërhyrja në stilin e jetesës ose marrja e metforminës ishin efektive në parandalimin ose vonimin e zhvillimit të diabetit të tipit 2 krahasuar me placebon, por, pa reduktuar ngjarjet kryesore kardiovaskulare gjatë 21 viteve.

Ky është raporti i një studimi të publikuar në Circulation, në të cilin studiuesit ndoqën pjesëmarrësit në DPP (Diabetes Prevention Program), një studim në të cilin 3234 të rritur me moshë mesatare 51 vjeç, kryesisht gra, me tolerancë të dëmtuar të glukozës, glukozë esëll ndërmjet 5,27 -6,94 mmol/L (95-125 mg/dL) dhe indeks të masës trupore ≥24 kg/m2, u ndanë në mënyrë rastësore ne tre grupe: ata që do të merrnin metforminë (850 mg dy herë në ditë), ata që do të merrnin placebo dhe ata që do t'i nënshtroheshin një ndërhyrjeje intensive në stilin e jetesës, me synim reduktimin e peshës trupore me të paktën 7%.

Krahasuar me placebon, ndërhyrja uli incidencën e diabetit të tipit 2 me 58% dhe metformina, me 31%. Në fund të studimit, i cili zgjati mesatarisht rreth 3 vjet (në periudhën 1996-2002), pjesëmarrësit u ftuan të merrnin pjesë në DPPOS (Diabetes Prevention Program Outcomes Study), në të cilin përdorimi i metfominës ishte i njohur dhe pacientëve iu ofrua të rihynin në grupin e ndërhyrjes në stilin e jetesës për një vit, duke parë përfitimet e kësaj.

Së pari, u vu re vazhdimësia e përfitimeve në lidhje me parandalimin e diabetit për 15 vitet e ardhshme. Ishte e rëndësishme të kuptohej nëse parandalimi i diabetit mund të çojë një zhvillim më të ulët të komplikacioneve të tij, si: sëmundjet kardiovaskulare (CV), sëmundjet renale, retinopatia dhe neuropatia. Shfaqja e një ngjarjeje të madhe CV, p.sh. infarkt miokardi fatal ose jo fatal, iktus ose sëmundje fatale CV, u konsiderua si rezultat parësor. Pas një ndjekjeje mesatare prej 21 vjetësh, nuk u vunë re dallime domethënëse ndërmjet tre grupeve në incidencën e këtyre ngjarjeve.

Pati 35 infarkte në grupin e ndërhyrjes, 46 në atë që merrte metforminë dhe 43 në grupin e placebos. Iktuset ishin përkatësisht 39, 16 dhe 28, dhe vdekjet nga CV-të ishin 37, 39 dhe 27.

U vu re se shumë pjesëmarrës merrnin gjithashtu barna për kolesterolin ose presionin e gjakut, të cilat mund ta ketë bërë më të vështirë identifikimin e një përfitimi të mundshëm nga ndryshimi i stilit të jetës ose metformina. "Janë të nevojshme kërkime të mëtejshme për të identifikuar nëngrupet në rrezik në mënyrë që të zhvillohet një qasje më e synuar për parandalimin e CVD-ve te njerëzit me prediabet dhe diabet të tipit 2", tha autori kryesor i studimit, Ronald B. Goldberg (Universiteti i Majamit, SHBA).

 

Circulation 2022. Doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.121.056756.
https://doi.org/10.1161/CIRCULATIONAHA.121.056756


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC