shk232024
Fertiliteti te meshkujt dhe mikroorganizmat që ndikojnë në cilësinë e spermës
Sipas studiuesve të Departamentit të Urologjisë në Universitetin e Kalifornisë, mikrobiota seminale mund të luajë rol thelbësor në ndikimin e parametrave të spermës dhe në përmirësimin e fertilitetit te meshkujt. Eksplorimi i funksioneve të këtyre mikroorganizmave në spermë mund t'i hapë rrugën zhvillimit të trajtimeve që synojnë korrigjimin e problemeve të mundshme në parametrat e spermës.
Lactobacillus iners ndikon negativisht në lëvizshmërinë e spermatozoideve
Studimi zbuloi se një mikrob i veçantë, Lactobacillus iners, mund të ketë ndikim negativ të drejtpërdrejtë në fertilitetin e meshkujve. Rezultatet treguan se meshkujt me përqendrime më të larta të këtij mikrobi, kishin probabilitet më të lartë për të pasur probleme me lëvizshmërinë e spermatozoideve. Studime të mëparshme kanë zbuluar se Lactobacillus iners mund të prodhojë në mënyrë preferenciale acid L-laktik, duke krijuar me shumë mundësi një mjedis pro inflamator në nivel lokal, që mund të ndikojë negativisht në lëvizshmërinë e spermatozoideve. Ky është studimi i parë që ka evidentuar lidhjen negative ndërmjet mikrobit dhe fertilitetit te meshkujt.
Pseudomonas ndikojnë ndryshe në fertilitet
Studiuesit kanë zbuluar se 3 lloje bakteresh të grupit Pseudomonas ishin të pranishme te pacientët me përqendrime normale dhe anormale të spermatozoideve. Mikrobet e quajtura Pseudomonas fluorescens dhe Pseudomonas stutzeri ishin më të zakonshme të pacientët me përqendrime anormale të spermës, ndërsa Pseudomonas putida gjendej gjerësisht te mostrat me përqendrime normale të spermës. Rezultatet treguan se jo të gjitha anëtaret e të njëjtit grup mund të ndikojnë njësoj në fertilitet, qoftë pozitivisht, apo negativisht. Me fjalë të tjera, edhe mikrobet që i përkasin së njëjtës familje mund të mos kenë gjithmonë të njëjtën lidhje të drejtpërdrejtë me fertilitetin.
"Kemi shumë për të eksploruar përsa i përket mikrobiomës dhe lidhjes së saj me infertilitetin te meshkujt. Megjithatë, këto rezultate na japin informacione të vyera, që mund të na drejtojnë në rrugën e duhur për të kuptuar më thellë këtë lidhje. Studimi ynë është në një linjë me evidencat e studimeve më të vogla dhe do t'iu ndezë dritën jeshile sondazheve të ardhshme më të plota për të zbuluar lidhjen e ndërlikuar ndërmjet mikrobiomës seminale dhe fertilitetit", përfundojnë autorët.
Burimi:
https://www.nature.com/articles/s41598-024-51686-4