shk272024
Dhimbja e shpinës, e lidhur me depresionin dhe patologjitë kronike. Ja, studimet.
Dhimbja e shpinës prek më shumë se 619 milionë vetë në të gjithë botën dhe në 30 vitet e ardhshme, numri i pacientëve me këtë problem mund të rritet në më shumë se 200 milionë. Kjo u konfirmua nga eksperti i dhimbjes së shpinës dhe bashkautori i studimeve të publikuara në Journal of Environmental Research and Public Health, Eric Hurwitz.
Patologjitë kronike që shtojnë probabilitetin për dhimbje shpine
Në studimin e parë, studiuesit kanë intervistuar më shumë se 2.000 të rritur në SHBA për një periudhë 9-vjeçare. Autorët kanë theksuar se, përveç faktorëve të rrezikut të njohur për dhimbjen e shpinës, ndër të cilët tymosja, obeziteti dhe faktorët ergonomikë në punë, ekziston një lidhje e dyanshme e këtij problemi me depresionin. Në fakt, individët me dhimbje shpine, kishin më shumë probabilitet për të referuar simptoma që përputheshin me depresionin gjatë ndjekjes (follow-up) dhe ata me depresion, kishin më shumë probabilitet për t'u ankuar nga dhimbjet e shpinës.
Në studimin e dytë, duke përdorur të dhëna të tërthorta të National Health Interview Survey në vitet 2016-2018, studiuesit kanë rishikuar lidhjet ndërmjet dhimbjes së shpinës dhe katër patologjive kronike, si: sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni, diabeti dhe obeziteti, te 26.926 pacientë. Ekspertët konstatuan se të katërta llojet e patologjive kronike shtuan ndjeshëm probabilitetin e prevalencës së dhimbjes së shpinës, përkatësisht, sëmundjet kardiovaskulare me 58%, hipertensioni me 40%, diabeti me 25% dhe obeziteti me 34%. Për të gjitha patologjitë kronike, konsumi i duhanit (45-50%), të qenit jo shumë aktiv (17-20%), problemet e gjumit (180-184%), përkeqësimi konjitiv (90-100%) dhe çrregullimet e shëndetit mendor (68-80%), kanë shtuar në mënyrë të konsiderueshme probabilitetin e prevalencës së dhimbjes së shpinës.
"Hapat e ardhshëm të këtij studimi synojnë të gjejnë arsyen e ekzistencës së këtyre lidhjeve, nëse ato kanë shkaqe të përbashkëta mbi të cilat ne mund të ndërhyjmë, si dhe efektivitetin e çdo ndërhyrjeje. Ndërkohë, këshilla ime për individët është që të lëvizin më shumë dhe të shmangin jetën sedentare", përfundon Hurwitz.