maj232024
Stresi dhe ankthi. Përfitimet nga ekstrakti i Withanias (ashwagandha)
Stresi është një faktor i rëndësishëm, që qëndron në bazën e modelimit të shëndetit konjitiv, nga i cili varet mirëqenia e përgjithshme dhe cilësia e jetës. Është vërtetuar se është kryesisht stresi afatgjatë ai që ndryshon ekuilibrin e boshtit hipotalamus-hipofizë-gjëndër mbiveshkore. Adaptogjenet, si Withania somnifera (e njohur si ashwaganda), përdoren gjerësisht në mjekësinë indiane (ayurveda) për lehtësimin e stresit dhe përmirësimin e disfunksionit të aksit hipotalamus-hipofizë-gjëndër mbiveshkore.
Kortizoli, hormoni i stresit
Stresi psikologjik luan një rol domethënës në shoqërinë tonë, duke shënuar një rritje të dukshme në të gjithë botën, sidomos gjatë viteve të fundit. Në momentin që bie viktimë e stresit, fillon një kaskadë komplekse përgjigjesh fiziologjike, e cila shkakton aktivizimin e boshtit hipotalamus-hipofizë-gjëndër mbiveshkore dhe sekretimin e kortizolit, hormoni i stresit. Gjithashtu, stresi kronik apo ekspozimi i vazhdueshëm ndaj faktorëve të stresit mund të ndryshojnë ekuilibrin e boshtit, duke shkaktuar rritje afatgjatë të niveleve të kortizolit. Ky çrregullim mund të sjellë efekte negative në shëndet, ndër të cilat ankth, depresion, çrregullime metabolike, disfunksion imunitar, sëmundje kardiovaskulare dhe vështirësi në fjetje. Prandaj, për popullsinë botërore është shumë i rëndësishëm zbatimi i strategjive për reduktimin e stresit deri në minimum në organizëm dhe për lehtësimin e simptomave.
Withania mund të reduktojë stresin, ankthin dhe depresionin te individët e stresuar
Ashwagandha, e njohur edhe si xhinsengu indian apo Winter Cherry, bën pjesë në familjen e bimëve mjekësore të quajtura adaptogjene. Ky emërtim i referohet efektit që rregullon metabolizmin kur organizmi është i pushtuar nga stresi fizik dhe mendor, duke e ndihmuar atë të përshtatet ndaj këtij stresi. Për këtë qëllim, rrënjët dhe gjethet e bimës përdoren gjerësisht në Ayurveda, një sistem antik i mjekësisë tradicionale indiane, me qëllim nxitjen e përmirësimit të patologjive që përfshijnë stresin, rivendosjen e homeostazës dhe ushtrimin e vetive neuroprotektive dhe imunomodeluese. Disa studime klinike mbi njeriun kanë demonstruar se ekstrakti tolerohet mirë nga organizmi dhe mund të reduktojë ankthin, stresin dhe depresionin te individët e stresuar, duke ushtruar efektin e tij me anë të modelimit të niveleve të kortizolit dhe testosteronit.
Një studim i fundit, pavarësisht pengesave të shkaktuara nga pandemia, u përmbyll me rezultate surprizuese, duke demonstruar se ekstrakti i standardizuar i gjetheve dhe rrënjëve të Withania somnifera në tre doza të ndryshme (125 mg, 250 mg dhe 500 mg) redukton, në mënyrë të sigurt dhe efikase, stresin, ankthin dhe depresionin te individët me stres kronik në 8 javë. Më specifikisht, ky ekstrakt ujor e redukton stresin në mënyrë të konsiderueshme, duke ulur nivelet e bioshënjuesve të lidhur me stresin, të tillë si kortizoli plazmatik, ACTH dhe α-amilaza e pështymës. Ekstrakti ka përmirësuar edhe parametrat e gjumit, të vitalitetit dhe të cilësisë së jetës. Bëhet fjalë për studimin e parë që ka vëzhguar një efekt të varur nga dozat, duke përdorur tre doza të ndryshme të ekstraktit ujor për përmirësimin e stresit të matur nga pyetësorët dhe bioshënjuesit. Kjo ka sjellë një efekt pozitiv që me dozën më të ulët të testuar deri më tani për stresin (125 mg/ditë) pas 8 javësh. Si përfundim, ekstrakti ka rezultuar i sigurt dhe i tolerueshëm mirë nga organizmi.