maj152024
Migrena dhe fibromialgjia. Një studim mbi faktorët e përbashkët dhe perspektivat e reja të trajtimit
Zbulimi i një bioshënjuesi, i cili është në gjendje të diagnostikojë fibromialgjinë dhe të përbëjë një objektiv të mundshëm për t'u goditur me barna të përparuara, tashmë të disponueshme për patologji të tjera, duke zgjeruar mjetet në dispozicion për trajtimin e këtij sindromi është synimi i studimit të Fondacionit Italian për Studimin në Reumatologji (FIRA).
Fibromialgjia është një nga shkaqet më të shpeshta të dhimbjes kronike të përhapur dhe shpesh karakterizohet nga prania e njëkohshme e simptomave, të tilla si lodhja, vështirësitë në përqendrim, astenia, çrregullimet e gjumit, por edhe ankthi, depresioni dhe dhimbjet e kokës. U konstatua se 2-4% e popullsisë së përgjithshme është e prekur nga këto simptoma, 80% e së cilës janë gra. Diagnostikimi bëhet i ndërlikuar për shkak të ndryshueshmërisë ekstreme të simptomave dhe për shkak të mungesës së bioshënjuesve dhe shpesh arrihet me vonesë, shumë vite pas shfaqjes së simptomave.
"Identifikimi i bioshënjuesve për përcaktimin e sëmundjes dhe karakterizimin e fenotipit dhe ashpërsisë së saj është një nevojë urgjente mjekësore përsa i përket fibromialgjisë. Nga ana klinike, fibromialgjia ka shumë karakteristika të sensibilizimit qendror dhe prevalenca e lartë e saj e lidhur me migrenën, tregon se ato mund të kenë një shkak të përbashkët. Në veçanti, ne kemi hedhur hipotezën se pacientët e prekur nga fibromialgjia mund të kenë nivele të larta të CGRP-së (peptid, që prej kohësh konsiderohet se mund të luajë një rol thelbësor në fizpatologjinë e migrenës). Si pasojë, në studim do të vlerësojmë nëse terapia do të sjellë përfitime edhe për fibromialgjinë te pacientët e prekur nga fibromialgjia dhe migrena, të trajtuar për këtë të fundit me barna anti CGRP, në bazë të udhëzimeve neurologjike", shpjegon autorja kryesore e studimit Annunziata Capacci.
"Nëse hipoteza jonë konfirmohet, ajo do t'u hapte rrugën mundësive të reja terapeutike. Mund të përdoren barna tashmë të konfirmuara për migrenën edhe për trajtimin e fibromialgjisë, duke shtuar mjetet që kemi në dispozicion për përmirësimin e jetës së pacientëve", përfundon ajo.