kor162024
Refluksi gastro-ezofageal. Monitorimi i simptomave dhe këshillat mbi stilin e jetës dhe strategjitë e menaxhimit
Kur përmbajtja gastrike rikthehet në ezofag në sasi jo fiziologjike, bëhet fjalë për refluks gastro-ezofageal, një patologji e karakterizuar nga simptoma të tilla si urthi, dhimbjet e gjoksit, të përzierat dhe të vjellat, e cila përcakton një ulje të cilësisë së jetës tek ata që vuajnë prej tij. Me qëllim mbështetjen e pacientit, me këshilla mbi stilin e jetës dhe strategji për përmirësimin e simptomave të sëmundjes nga refluksi gastro-ezofageal (GERD), Federata Ndërkombëtare e Farmaceutikës (FIP) propozoi një videokapsulë të realizuar nga një farmacist, e cila përshkruan simptomat alarmuese të sëmundjes.
Sëmundja e refluksit gastro-ezofageal (GERD)
Sëmundja e refluksit gastro-ezofageal (GERD) përkufizohet si shfaqja e lëvizjeve, pa sforcime, të cilat shkaktojnë ngjitjen e përmbajtjes së stomakut në ezofag dhe gojë, duke shkaktuar simptoma të bezdisshme dhe ndërlikime. Në kushte normale, ngushtimi diafragmatik ("sfinkteri" ezofageal inferior), muskujt dhe strukturat ligamentoze të diafragmës dhe hiatusi ezofageal (pika që bashkon stomakun dhe ezofagun) përbëjnë barrierën antirefluks ndërmjet ezofagut dhe stomakut. Megjithatë, në GERD, sasia e përmbajtjes gastrike që kthehet në ezofag shfaqet në nivele më të larta se ato fiziologjike dhe kjo krijon një ekspozim patologjik të mukozës së ezofagut ndaj përmbajtjes gastrike.
Prandaj, mekanizmi fizpatologjik që qëndron në bazë të GERD mund të përfshijë përbërës anatomikë, por edhe funksionalë, të tillë si funksionaliteti i ndryshuar i ngushtimit diafragmatik, relaksimi kalimtar i ngushtimit diafragmatik, një koordinim i ndryshuar i muskujve ezofagealë, një mosfunksionim gastro-duodenal dhe ndryshime të tjera, siç është refluksi duodeno-gastro-ezofageal.
Simptomat dhe ndërlikimet e shkaktuara nga GERD
Përsa i përket simptomave të shkaktuara nga GERD, pjesa më e madhe e pacientëve zhvillojnë djegie stomaku dhe regurgitime në mungesë të sforcimeve. Simptomat më pak të shpeshta përfshijnë: disfaginë, ose vështirësitë në gëlltitje; odinofaginë, e cila karakterizohet nga një gëlltitje e dhimbshme; dhimbjen torakale; praninë e një përzierjeje të pështymës dhe acidit të stomakut në gojë që mund të shkaktojë një shije të pakëndshme; gromësima; lemzë të bezdisshme; të përziera e të vjella. Megjithatë, farmacisti mund t'i kushtojë rëndësi edhe simptomave ektraezofageale, sidomos nëse pacientët priren ta pastrojnë fytin në mënyrë kronike e nëse zhvillojnë kollë, erozion të smaltit, otit, dhimbje fyti, sinusit, disfoni, astmë ose rrjedhje hundësh.
Ndërlikimet kryesore të lidhura me GERD përfshijnë disfaginë, hemorragjinë nga ezofagiti eroziv, i cili shkaktohet nga inflamacioni ose acarimi i mukozës së ezofagut, si dhe adenokarcinomën e ezofagut. Për më tepër, pjesa dërrmuese e individëve që vuajnë nga GERD e komplikuar, zhvillojnë hernie hiatale.
Çfarë mund të bëjë farmacisti?
Farmacisti mund ta edukojë pacientin me qëllim përmirësimin e tablosë së sëmundjes, duke i mundësuar ta menaxhojë sa më mirë atë, me një ndikim pozitiv në cilësinë e jetës dhe një reduktim të asistencës shëndetësore. Në fakt, është provuar që pacientët përmirësohen nëse ndihen të monitoruar, nëse kuptojnë simptomat dhe nëse njohin refluksin. Pra, farmacisti mund t'u vijë në ndihmë edhe duke u shpjeguar anatominë dhe fiziologjinë, si dhe duke i nxitur pacientët të ndryshojnë mënyrën e ushqyerjes dhe të menaxhojnë stresin.
Humbja e peshës dhe ndërprerja e tymosjes janë disa nga aspektet që mund t'u bëjnë mirë pacientëve me GERD, duke qenë se janë faktorë të konsiderueshëm rreziku për këtë patologji. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të këshillohen pacientët mbi konsumin e vakteve të reduktuara, duke shmangur ushqime që nxisin simptomat dhe ushqimet me yndyrë, t'u rekomandohet që mos të hanë para se të shtrihen për të fjetur, si dhe ta mbajnë kokën pak të ngritur gjatë gjumit, me qëllim parandalimin e GERD nokturn. Strategji të tjera përfshijnë edhe reduktimin e ankthit. Kurdoherë që është e mundur, do të ishte e dobishme të përdoreshin grafikë informues për t'iu përgjigjur pyetjeve të pacientëve ose për t'i prezantuar ata me grupet mbështetëse që mund të ndihmojnë në menaxhimin e aspekteve të ndryshme që lidhen me GERD.