Njoftime

tet62016

In Memoriam: Perikli Riza, gjurmët e farmacistit të talentuar

tags: Farmaci

Më 25 gusht 2016 në Tiranë, ndërroi jetë miku, shoku dhe kolegu ynë i dashur, farmacisti i devotshëm Perikli Riza.
Perikliu lindi në Tiranë, më 1941, në një familje të respektuar. Mbas mbarimit  të shkollës së mesme, Perikliu me një grup shokësh u dërgua për studime në degën farmaci në ish Republikën Demokratike të Gjermanisë. Ishin vitet 1960-61 kur pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike të vendit tonë me ish-republikat e kampit socialist, Perikliu kthehet në atdhe për të vazhduar studimet me të njëjtin përkushtim dhe dashuri për t'u bërë farmacist.

Më 1965 mbaroi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua farmacist dhe emërohet si i tillë në Profarma (e vetmja industri farmaceutike në vend) ku punoi për gati 30 vjet si farmacist, përgjegjës turni, shef reparti në repartin e përgatitjeve galenike dhe atë eksperimental.

Kudo që punoi, Perikliun e karakterizonte dashuria dhe devotshmëria, këmbëngulja dhe profesionalizmi në realizimin e detyrave në drejtim të eksperimentimit dhe prodhimit të preparateve galenike, numri i të cilave kalon mbi 200 prodhime titujsh.
Mund të thuhet se nuk ka prodhim galenik dhe standard prodhimi galenik të hartuar pa pasur vulën dhe emrin e Perikliut dhe të kolegëve që punonin së bashku për të eksperimentuar dhe prodhuar barna cilësore, efikase dhe të sigurta në ato kohë aq të vështira të bllokadës që po kalonte vendi ynë, aq të nevojshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

Sot Profarma është imazhi i rritur dhe i përmirësuar falë trashëgimisë dhe punës së armatës të gjithë profesionistëve farmacistë, ku spikaste Perikliu. Si njohës i mirë i proceseve teknologjike të prodhimit të preparateve galenike, ai punoi edhe në fushën e mësimdhënies për 10 vite (1980 -1991) si pedagog, duke dhënë leksione  dhe drejtuar praktika mësimore për studentët e Farmacisë, udhëheq punime diplomash për studentët e Kimisë dhe Farmacisë, bashkautor dhe recenzent me disa tekste mësimore të profilit të farmacisë.

Perikliu në vitin 1991 përfundimisht largohet nga Profarma e tij e dashur për të filluar si drejtor i Ndërmarrjes Albmedimpex pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Në vitet 1992-1999 me hapjen e firmave farmaceutike përfaqësi të vendeve të huaja në vendin tonë, Perikliu caktohet si drejtues i kësaj përfaqësie për firmën zviceriane Ciba-Geigy, më tej Novartis ku punoi me profesionalizëm dhe pasion, duke bashkëpunuar më nga afër me kolegë farmacistë, mjekë e punonjës të tjerë të shëndetësisë.

Ai ishte njëkohësisht anëtar i Këshillit Administrativ të Institutit të Kujdesit Shëndetësor si dhe anëtar i kryesisë së Shoqatës Farmaceutike të Shqipërisë. Për arsye shëndetësore më 1999 largohet nga përfaqësia e Novartis për t'ia lënë vendin një kolegu tjetër të nderuar dhe për të kaluar përfundimisht në aktivitet të lirë privat duke drejtuar dhe punuar në farmacinë e tij së bashku me bashkëshorten deri në fund të jetës së tij. Me vdekjen e tij familja (gruaja, djali me bashkëshorten, dy nipat e tij të vegjël e rrethi familjar) humbën njeriun e tyre më të dashur, ne humbëm shokun, mikun, kolegun farmacistin e talentuar, por që na la pas një bagazh pune 50-vjeçare në shërbimin farmaceutik për brezat e tanishëm dhe ata që vijnë pas për të çuar më tej shkencën farmaceutike shqiptare.

Andrea Matua

Sazan Çeliku

Arjan Jaupllari


Tiranë, më 3 Tetor 2016


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC