Zhvillohet këto ditë në Itali konkursi "Farmacia Etike", një mundësi shumë e mirë për farmacistët që të tregojnë në mënyra të ndryshme se çfarë bëjnë më mirë në përditshmërinë e tyre. Një pjesë e rëndësishme e konkursit është edhe kulinaria, ku farmacistët e interesuar dërgojnë në adresën online të konkursit një recetë të tyren, e cila duhet të lidhet me njërën nga këto kategori: ndjeshmëria ndaj glutenit; kolesteroli dhe yndyrnat në gjak; hiperglicemia dhe diabeti; tensioni i lartë; mbipesha në fëmijëri dhe obeziteti; menopauza; ushqyerja korrekte në shtatzëni; energjia, ushqimi dhe lodhja; ushqimi dhe sporti; ushqimi dhe plakja; produktet ushqimore për zemrën etj.
Më të mirëve do t'ju takojë nderi që të jenë të pranishëm në librin e recetave të shëndetit, me emrin, mbiemrin e tyre dhe recetën e përshkruar. E gjitha zhvillohet për një qëllim fisnik, ku të ardhurat e fituara do t'i ofrohen fondacionit "Francesca Rava Nph Italia onlus" dedikuar ushqyerjes së fëmijëve në Haiti.
Libri me receta, i cili kërkon t'i bëjë farmacistët pjesë të fushatës për ndjekjen e një ushqyerje të shëndetshme do të shitet edhe nëpër farmaci, online dhe në librari. Një shembull shumë i mirë sensibilizimi ky që mund të aplikohet edhe në vendin tonë, duke qenë se problemet shëndetësore të lidhura më ushqyerjen e gabuar janë në rritje.