pri122018
Mos iu ndani angjinares në këtë stinë.
Është mikja e mëlçisë dhe e gjithë trupit...
Gabohet ai që mendon se, duke qenë një perime e vjeshtës së vonë dhe e dimrit, angjinarja nuk është më perime e stinës, kur ditët fillojnë të zgjaten. Përkundrazi, pikërisht në prag të pranverës, kjo perime me një shije pak të hidhur, jep më të mirën nga vetja, duke qenë se ka veti që organizmi ynë është në gjendje t'i "vlerësojë" sidomos tani, kur nevojitet pastrimi i trupit nga mbeturinat dhe toksinat e akumuluara në sezonin e ftohtë, për shkak të ndotjes më të madhe, një diete më të pasur dhe lëvizjeve më të pakta fizike...
Stimulon aktivitetin biliar
Mes përbërësve të dobishëm të angjinares, përveç hekurit, dallohet cinarina, substanca aromatike që i jep perimes shijen e hidhur karakteristike dhe që ka rezultuar veçanërisht e nevojshme për pastrimin dhe dezintoksikimin e mëlçisë, sepse është në gjendje të rrisë fluksin biliar dhe të stimulojë diurezën.
Të gjitha meritat i ka cinarina
Cinarina, e cila ka një veprim tipik mbrojtës ndaj mëlçisë, është edhe një antioksidant i çmuar dhe një përbërës aktiv i veçantë, që veç të tjerash, redukton nivelet e kolesterolit në gjak. Ajo është veçanërisht aktive në rastet kur angjinarja konsumohet e gjallë. Për të përfituar plotësisht nga dobitë që ofron angjinarja, është e këshillueshme të konsumohet e prerë në feta të holla, si sallatë, e ujdisur lehtë me vaj ulliri, limon dhe pak kripë.
Çaji me gjethe, mbrojtës i mëlçisë
Në kuzhinë, angjinarja ka shumë mbetje, por edhe gjethet që zakonisht nuk hahen, mund të përdoren për të përftuar një çaj për mbrojtjen e mëlçisë, falë veprimit të tij pastrues. Merret disa gjethe, zihen në një litër ujë për rreth një orë, duke shtuar ujë pak nga pak, nëse është e nevojshme, filtrohen dhe fitohet kështu një pije me shije të hidhur, por mjaftueshëm e dobishme, që ruhet për disa ditë në frigorifer dhe mund të merret për njëfarë kohe, pas ushqimit. Përveçse dezintoksikon organizmin, kjo pije është shumë diuretike, bën mirë për lëkurën, rregullon erën e gojës dhe ndihmon për të mbajtur të ulëta nivelet e kolesterolit.
Diuretik dhe mik i arterieve
Disa veti të angjinareve, siç është ajo që e kanë shumë antioksidantë të pranishëm te barishtet, po studiohen për të demonstruar në mënyrë shkencore një aktivitet antitumoral të hamendësuar nga shumë studiues.
Tashmë, është e sigurt se konsumi i rregullt i kësaj perimeje, përveçse favorizon tretjen dhe diurezën, ka një veprim të dobishëm në lidhje me:
- sëmundjet kardiovaskulare, falë acidit klorogjenik që përmirëson qarkullimin e gjakut dhe gjendjen shëndetësore të arterieve;
- aktivitetin intestinal, duke ruajtur florën bakteriale intestinale nëpërmjet veprimit të insulinës, një substancë që gjendet në zemrën e angjinares;
- kolesterolin, duke e mbajtur të ulët. Disa studime kanë treguar se një konsumim i rregullt i angjinareve të pagatuara redukton me 20% praninë e yndyrave në gjak.
- metabolizmin. Është provuar tashmë se në funksionet metabolike kanë një vlerë përcaktuese minerale të tilla si magnezi dhe mangani, që tek angjinarja janë të pranishme në doza të mëdha.
Gloria Brolatti